Një turiste gjermane ka humbur jetën teksa eksploronte së bashku me bashkëshortin e saj kanionin e Langaricës në Përmet. Referuar njoftimit zyrtar, humbja e jetës ka ardhur si pasojë e mbytjes, pasi reshjet e dendura të shiut kanë shtuar prurjet e ujit duke bërë që lumi Langaricë të dalë nga shtrati natyral.
Trupi i pajetë i turistes është gjetur në vendin e quajtur ‘Mulliri i Bënjës’, e ndërsa për fat bashkëshorti ka shpëtuar.
“Rreth orës 18:25, shtetasi gjerman F. Ë., 72 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja gjermane A. S., 66 vjeçe, kanë qenë duke vizituar me këmbë kanionin e Langaricës, Përmet.
Për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, shtetasen A. S. e ka marrë rrjedha dhe për pasojë është mbytur, ndërsa bashkëshorti i saj ka mundur të dalë në breg. Shërbimet e Policisë dhe ata të zjarrfikëses kanë nxjerrë nga uji trupin e pajetë të shtetases A. S. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.