Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu mbrojti para Asamblesë Kombëtare kërkesën e qeverisë për 413 miliardë euro gjatë shtatë viteve të ardhshme për zhvillimin e ushtrisë, duke thënë se qëllimi ishte “riparimi” i një mjeti mbrojtës që ishte “dëmtuar”.
Duke hapur debatin për Projektligjin për Buxhetin Ushtarak 2024-2030, ai mbrojti tekstin që “nuk propozon një thyerje rrënjësore me modelin tonë historik”, por propozon “përshtatjen” e tij në kuadrin e “konkurrencës më të fortë mes fuqive të mëdha si pasojë e përhapjes së armëve bërthamore”.
Ai shpjegoi se teksti synon “të vazhdojë të riparojë mjetet e mbrojtjes që janë dëmtuar në të kaluarën si rezultat i politikave afatshkurtra”, veçanërisht në drejtim të modernizimit të parandalimit bërthamor, përmirësimit të trajtimit të trupave, si dhe investimeve në zonat kibernetike, hapësinore dhe detare.
Debati pritet të kthehet shpejt në çështjen e pjesës së produktit të brendshëm bruto (GDP) të akorduar për shpenzimet e mbrojtjes, të cilat Franca është zotuar ta rrisë në dy përqind, në përputhje me atë që kërkon anëtarësimi i saj në NATO.
Lecornu theksoi se pritet që ky synim të arrihet deri në vitin 2027, pra në fund të mandatit të dytë pesëvjeçar të presidentit Emmanuel Macron.