Një kuti larg zyrtarizimit të mandatit të tretë si kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj nuk duket se do të ndalet ndonjëherë nga ndonjë kundërshtar opozitar në garat vendore.
Deri më tani ai numëron 158 mijë e 538 vota ose 54.69 për qind të totalit, por ka një tjetër statistikë që bën përshtypje përtej pjesëmarrjes së ulët.
Nëse bën bashkë të gjithë votat e pesë kandidatëve të tjerë (131350 vota), Veliaj ka 27 mijë e 188 vota më shumë.
Trendi i votave të tij nuk zbret poshtë 150 mijë votave prej tetë vitesh ose tre zgjedhjesh lokale.
Në vitin 2015 kryetari i bashkisë së kryeqytetit regjistroi një rekord prej 160,235 votash.
Në ato zgjedhje PS-ja si parti mori 108,290 vota, ndërsa LSI-ja 54,292 vota, që ishin 18.25% të totalit të votave, pra duket qartë se pesha e partisë aleate ishte shumë e rëndësishme në koalicionin ASE.
Në zgjedhjet e vitit 2019 kundër kandidatit tjetër të Bindjes Demokratike, Veliaj siguroi 152,230 vota, ose 8002 vota më pak se ato që fitoi në zgjedhjet lokale të 2015-ës.
Përtej problematikave të përmendura dhe të denoncuara jo pak herë në media ose në rrjete sociale, nga dyndja e ndërtimeve në metropol te pagesat për Inceneratorin, Veliaj si kryeministër i Tiranës nuk zbret poshtë 150 mijë votave prej tetë vitesh.