Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako dhe të 7 pandehurve të tjerë, do të përfitojnë gjykim të shkurtuar lidhur me skandalin e Inceneratorit të Elbasanit. Vendimi është marrë ditën e sotme.
Kërkesa që procesi ndaj tyre të vazhdojë vetëm me provat që janë deri më tani, është pranuar këtë të premte nga Gjykata e Posaçme, ndërsa në rast dënimi secili prej tyre do të përfitojë uljen e 1/3 të dënimit. Ndërsa për Etleva Kondin, një tjetër zyrtare e akuzuar në këtë çështje, procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm dhe çështja u veçua. Seanca e radhës, ku SPAK do të lexojë pretencën do të zhvillohet më 18 maj, ora 09:00.
Sipas SPAK, Koka në cilësinë e ish-ministrit ka përfituar rreth 3.7 milionë euro ryshfet nga tre administratorët e kompanisë “Albtek Energy”, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja për dhënien me koncesion dhe ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Çështja e inceneratorit të Elbasanit është dërguar në gjykim në dhjetor 2022 nga SPAK.