Fermerët pohojnë se kostot e mbjelljes se një hektari me grurë janë shumë më të larta se, subvencioni i qeverisë 30 mijë lekë, por gjithsesi çdo ndihmë financiare do të ndihmonte në shtimin e sipërfaqes së mbjellë.
Sipas përllogaritjeve të fermerëve të Samaticës ne Berat kosto e një hektari grurë arrin 230,000 mijë lekë ose 7 herë më të larta se, subvencioni qe do të akordojë qeveria. Fermerët pohojnë se, prodhimi i grurit do të nxitej më shumë nëse subvencioni do të ishte së paku 50 mijë lekë për hektarë.
Sipas fermerëve kostot për 1 dynym grurë shpërndahen në 1500 lekë për plugimin, 1500 lekë për frezën, 700 lekë për mbjelljen, Dapi-i 4,500 lekë, ureja 6000 lekë, fara 3000 lekë, korrje 1500 lekë, qira 3,000 lekë, transporti 2,000 lekë. Kostot totale për një dynim arrijnë në 23,700 ndërsa për një hektar arrijnë në 237 mijë lekë.
Fermerët pohojnë se, masa e qeverisë për të subvencionuar është e vonuar, pasi ky konsiderohet si sezoni më i vështirë edhe në tregjet globale për shkak luftës në Ukrainë. Gruri mbillet në mbarim të vjeshtës dhe masa e qeverisë në rastin më të mirë i shërben vitit të ardhshëm.
Nëse subvencioni i qeverisë për grurin shpërndahet në mënyrë efikase sërish ajo është më e ulët se, mbështetja që japin vendet e Rajonit. Për shembull në Kosovë një hektarë grurë subvencionet me 450 euro, gati dyfishi i Shqipërisë.
Statistikat zyrtare që tregojnë se prodhimi i drithërave në vitin 2021 arriti në 134 mijë tonë nga të cilat rreth 58 mije tonë ishin grurë dhe të tjerat misër, tërshërë dhe thekër. Të dhënat e vitit 2021 ju afruan disi realitetit, pasi INSTAT referoi se në vitin 2020 ishin prodhuar rreth 684 mijë tonë drithëra.
Kultivimi i drithërave në vend shënoi ulje gjatë periudhës së tranzicionit, për shkak të kostove të larta të prodhimit që krijoi copëzimi i tokës dhe mekanizimi i ulët. Pas viteve 1990 mielli i importuar vinte me kosto me të ulët, duke bërë që shumë fusha të mbetura djerrë të mos mbilleshin më, ndërsa zonat me prodhuese në vend nisën të kultivonin perime në sera për shkak të fitimeve më të larta që kishin për fermerët.
Analizat e Ministrisë së Bujqësie tregojnë se, gruri është një kultivar që kërkon pak shpenzime dhe nuk varet shumë nga kushtet e motit.
Agronomët pohojnë se, çdo kulturë bujqësore mund të ketë leverdi nëse ka çmim të mirë në treg dhe kërkesë. Lufta ndërmjet dy prodhuesve më të mëdhenj të grurit Rusisë dhe Ukrainës, ka rritur më shumë se dyfishi çmimin e grurit për tonë në tregun ndërkombëtar. Një tonë grurë aktualisht shitet në rreth 781 dollarë në bursa nga 591 dollarë që ishte në marsin e vitit 2020.
Rritja e çmimeve të grurit nisi që gjatë vitit 2020, ku çmimi gjatë pandemisë kaloi në mbi 600 dollarë për tonë nga rreth 450 USD për tonë që ishte në vitin 2019. Kjo rritje ka nxitur mbjellje më të mëdha me grurë në vjeshtën e vitit 2021 në rajonet e Korçës dhe Fierit, por nuk pritet një rendimet i lartë për shkak se çmimet e plehrave kimike janë rritur shumëfish.
Historikisht, prodhimi i grurit në Shqipëri arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 637 mijë tonë në 1988.
Shqipëria është renditur në vendin e 71-të në grupin e 120 vendeve të FAO për sa i përket normës së interesit për prodhimin e grurit.
Në Shqipëri gruri mbillet gjatë vjeshtës dhe korret gjatë muajit korrik. Por nëse çmimet e larta vijojnë të jenë prezentë, atëherë interesi do të nxisë fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella me drithëra sidomos grurë gjatë vjeshtës së këtij viti./monitor