Brenda një muaji pritet që të fillojë shitja e apartamenteve që do të ndërtohen në kuadër të Projekti Durrës Yacht & Marina, për të cilin është deklaruar se do të ketë një vlerë totale investimi prej 2 miliardë euro.
Punonjës të kompanisë zhvilluese po kontaktojnë me klientët potencialë dhe i kanë njoftuar se së shpejti do të bëhet prezantimi i projektit dhe do të fillojë shitja e apartamenteve, çmimi i të cilave do të bëhet publik ditën e prezantimit.
Projekti Durrës Yacht & Marina ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore.
Fillimisht u deklarua se projekti do të ndërtohej nga kompania e njohur e Emirateve Arabe, Dubai, por më pas në Qendrën Kombëtare të Biznesit është regjistruar si zhvilluese shoqëria offshore Symphony Real Estate Development.
Paralelisht me këtë projekt, parashikohet të kryhet dhe zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano, një proces që pritet të zgjasë me vite.
Fillimisht, sipas zhvilluesve të projektit, do të ndërtohen dy godina në zonën pranë Urës së Dajlanit, e cila është aktualisht tokë pranë detit e papërdorur nga Porti dhe që pritet të rehabilitohet e të ndërtohet një miniqytet.
Nuk dihet sa është pjesa e përfitimit që do të marrë shteti
Ndërsa kompania zhvilluese ka marrë nga shteti 80 hektarë tokë shtetërore të cilën do ta zhvillojë me faza dhe ndërkohë do të fillojë shumë shpejt dhe shitjen e apartamenteve, cili do të jetë përfitimi i qeverisë shqiptare dhe taksapaguesve të saj për token e dhënë në përdorim?!.
Kompania ka dorëzuar masterplanin dhe planin e investimit pranë AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Ligji për investimet strategjike parashikon që shteti të jetë bashkëpjesëmarrës, dhe forma e përfshirjes së shtetit në investim ka qenë pjesë e negociatave me palën investitore.
Më herët, institucionet shtetërore kishin bërë të ditur për Monitor se janë në diskutim disa versione, të njohura në bashkëpunime të ngjashme si ndarja e të ardhurave dhe parashikohej hartimi i një memorandumi që do të përcaktonte parimet e përgjithshme të kësaj bashkëpjesëmarrje.
Këto forma janë nga më të ndryshmet, por nëse i referohemi rastit më të afërt gjeografik, ku ka një investim të ngjashëm në Serbi, pjesëmarrja e shtetit aty është në përqindje të të ardhurave që gjenerohen (ndonëse dhe zbatimi i këtij projekti në Serbi ka hasur në prolematika.
Por, deri tani, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave për projektin e marinës në Portin e Durrësit, ndërkohë që kompania zhvilluese ka njoftuar se do të nisë shitjen e apartamenteve në dy godinat e para!
Zhvendosja e Portit të Durrësit
Sipërfaqja totale që do të zhvillohet në Durrës, në funksion të projektit, parashikohet të jetë rreth 80 hektarë, por puna nuk do të nisë menjëherë në gjithë sipërfaqen.
Puna të nisë në një sipërfaqe pilot më të vogël. Kjo do të jetë faza e parë dhe trualli ku mund të nisin zbatimet është në zonën e bregut lindor dhe të hidrokarbureve, ku sot nuk ushtrohet asnjë aktivitet përpunimi portual. Projekti parashikon rikthimin e portit aktual në një zonë urbane tërësisht të integruar me qytetin, përmes disa zonave apo komuniteteve urbane, duke përfshirë Marine Community, Beach community, Old Town Community, Park Community, Waterfront Community.
Pas 5-vjeçarit, ndërtimi do të zgjerohet edhe në një sipërfaqe më të gjerë, sipas burimeve nga Porti i Durrësit. Terminali i pasagjerëve që është në Portin e Durrësit do të qëndrojë po aty por punimet apo hapat për ridimensionimin e tij, mendohet të hidhen në fazën e dytë të zbatimit të projektit.
Zhvendosja e portit të Durrësit në Porto Romano do të jetë graduale, pasi edhe zhvillimi i projektit në portin ekzistues do të jetë i tillë.
Ekspertët kanë pohuar se zhvendosja e Portit të Durrësit në çdo skenar do të ishte e nevojshme, pasi porti aktual ka nevojë për përmirësime rrënjësore që lidhen me rritjen e volumeve të përpunimit, por edhe me sigurinë portuale, nevojën për më shumë autonomi dhe hapësirë për forcat detare dhe nevojën për ndërlidhje më të mirë me logjistikën rrugore dhe hekurudhore.
Por, ende nuk janë bërë publike se sa është investimi për portin e ri në Porto Romano, cilët do të jenë financuesit, që do të varen nga projekti i detajuar inxhinierik dhe formula që do të zgjidhet për operimin.
Një nga alternativat është dhe marrëveshja koncesionare për operimin e terminaleve të mallrave dhe atyre logjistike në tokë. Sipas ekspertëve, përpunimi i zonave logjistike në Porto Romano paraqet interes të veçantë në këtë drejtim.
Projekti i Durrës Marina & Yachts
Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.
Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.
Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.
Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.
Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet dhe për këtë po hidhen të gjithë hapat e nevojshëm.
Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. /monitor