Ndotja e ajrit bën që të paktën 1,200 fëmijë dhe adoleshentë të vdesin para kohe çdo vit në Evropë. Ky është përfundimi i një raporti nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).
Ashtu si për të rriturit, ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor për shëndetin e të miturve dhe ndikon në jetëgjatësinë e tyre, zbulon ky studim që përfshin tridhjetë vende, duke përfshirë 27 vendet anëtare të BE.
“Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1,200 vdekje të parakohshme në vit në kategorinë e moshës nën 18 vjeç në Evropë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të tjera që vijnë me kalimin e kohës” thotë EEA në raportin e saj.
Niveli i ndotësve të mëdhenj të ajrit mbetet mbi rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, veçanërisht në Evropën qendrore e lindore, si dhe në Itali.
EEA rekomandon përqendrimin në cilësinë e ajrit rreth shkollave dhe çerdheve si dhe mjediseve sportive dhe transportit.
Pasojat e ndotjes fillojnë edhe para lindjes, pasi ekspozimi i nënës ambienteve me ajër jo të pastër lidhet me numrin e ulët të lindjeve dhe me lindjet e parakohshme.
Pas lindjes, ndotja e mjedisit rrit rrezikun e problemeve shëndetësore të tilla si astma, e cila prek 9% të fëmijëve dhe adoleshentëve në Evropë.