Një konflikt në ‘Tik Tok’ ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarri në qytetin e Durrësit. Sipas njoftimit të policisë, disa të rinj janë plagosur në lagjen numër 12. Klajdi Mansaku, 25 vjeç dyshohet e ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Jurgen Vrionit, Arben Haxhiut dhe Mario Vrionit.
Sipas policisë, rezulton se autori i dyshuar Klajdi Mansaku ka debatuar mbrëmjen e kaluar në telefon me Mario Vrionin dhe kanë lënë një takim për t’u sqaruar në afërsi të shtëpisë së tij.
Mario Vrioni ka marrë kushëririn e tij, Jurgen Vrionin dhe Arben Haxhiun, ky i fundit shok i tyre i përbashkët, dhe kanë shkuar në vendin ku kishin lënë takimin për t’u sqaruar. Në momentin që automjeti i të rinjve është afruar në vendin e ngjarjes, Klajdi Mansaku u ka qëlluar me armë dhe është larguar.
Si pasojë, dyshohet nga plumb rikoshet, janë lënduar lehtë Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, i cili aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Mario Vrioni rezulton me precedent të mëparshëm penal për lëndët narkotike dhe drejtim automjeti pa patentë. Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore dhe janë njoftuar pikat e kalimit kufitar për kapjen e Klajdi Mansakut.