Sot ishte dita e tretë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi ka mbajtur sot fjalën. Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit u shpreh se shumë prej pikave që Prokuroria e akuzon Krasniqin nuk janë të vërteta dhe nuk kanë fakte për ato akuza të cilat e akuzojnë. Sipas saj, fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.
“Nuk qëndron pasi nëse do të ishte e vërtet, atëherë i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.
Në këtë seancë ka folur edhe Jakup Krasniqi. Ai i ka bërë thirrje Gjykatës që të vendosë me shumë kujdes pasi ai kurrë nuk ka kryer një vepër penale në jetën e tij e jo më të vrasë apo të torturojë njerëz. Krasniqi është shprehur se ka qenë ish-Jugosllavia ajo e cila e ka dënuar disa herë pa të drejtë dhe se në fakt, nuk ju mban inat dhe nuk i ka cituar asnjëherë në librat apo shkrimet e tij.
Jakup Krasniqi i ka kërkuar Gjykatës që mos merren për bazë shkrimet në librat e tij dhe letrat që ju ka nisur familjarëve nga burgu, pasi ato nuk pohojnë asnjë akuzë dhe
“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. Unë e urrej dhunën, vrasjen dhe torturimin. Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur gjithmonë portat. Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti’”, tha ai.
Krasniqi e mbylli fjalën e tij duke thënë se është i lumtur që ka arritur edhe në rrethana tepër të rënda ta ruaj integritetin tij dhe të jetojë e vdes me dinjitet.