Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliç u dënua me katër vjet burg pasi ka abuzuar me blerjen e respiratorëve kinezë gjatë pandemisë COVID-19.
Gjykata në Bosnje e Hercegovinë shpalli dënimin e shkallës së parë kundër Novalliçit ditën e sotme më 5 prill, ashtu si edhe kundër të të pandehurve të tjerë në këtë rast kreut të Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak dhe pronarit të kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç. Sollak u dënua me gjashtë vjet burgim dhe Hoxhiç me pesë vite burg.
Kompania “Srebrena Malina” gjithashtu do të duhet të paguajë kompensim në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Fadil Novalliç është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar koronavirusin.