Kafeja është bërë pjesë e pazëvendësueshme e mëngjeseve dhe pasditeve tona. Ajo të zgjon dhe të gjallëron. Megjithatë, nektari me kafeinë i perëndive nuk e ka të gjatë dhe për këtë e kanë fajin të rinjtë e mijëvjeçarit.
Një studim i kohëve të fundit i publikuar nga Bloomberg, nxorri në pah se kërkesa për kafe nuk ka qenë kurrë kaq e lartë, falë grupit më dashamirës të kafesë që përbën 44 përqind të të gjithë njerëzve që pijnë kafe në botë.
Të rinjtë e mijëvjeçarit po pinë më shumë kafe se brezi i mëparshëm.
Të dhënat tregojnë se të rinjtë po konsumojnë mjaftueshëm kafe në ditë sa për të zëvendësuar rënien në shifra të brezave më të vjetër. Në katër vitet e shkuara, konsumi i kafesë është rritur nga 34% në 48% tek të rinjtë e moshave nga 18 deri në 24 vjeç dhe nga 51% në 60% tek të rinjtë nga mosha 25 në 30 vjeç.
Mania pas kafesë zë fill shumë herët në jetën e këtij brezi.
Ekspertët shpjegojnë se të rinjtë e lindur pas vitit 1995 kanë nisur të pinë kafe në moshën 14.7 vjeçare, ndërsa të rinjtë e lindur pas vitit 1982 kanë pirë kafe për herë të parë në moshën 17 vjeçare.
Me gjithë konsumin e lartë të kafesë, duket sikur bota do të përballet shumë shpejt me një mungesë globale të këtij produkti të kërkuar. Furnizimet me kafe nga zona si Amerika Jugore ose Brazili janë në rrezik jo vetëm nga temperaturat në rritje por edhe ndryshku. Në vitin 2012, më shumë se gjysma e prodhimit amerikano jugor të kafesë u zhduk nga faqja e dheut. Ndërkohë që ekspertët parashikojnë se deri në vitin 2050, gjysma e zonave prodhuese të kafesë nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë këtë aktivitet.
Rënia e nivelit të prodhimit nuk po ndalon aspak kompanitë e shitjes dhe konsumatorët.
Në të vërtetë, në vitin 2015, anëtarët e bordit të kompanisë më të fuqishme të produkteve të kafesë në botë, Starbucks, njoftuan se në 23 vitet e fundit, zgjerimi i kompanisë ka arritur nga 125 dyqane në plot 22,000 dyqane në 66 vende të ndryshme të botës. Studime të shumta nënvizojnë se konsumi në rritje i kafesë dhe furnizimi i tkurrur i këtij produkti ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimit të kokrrave të çmuara të kafesë. Kokrrat e varietetit Arabika kushton 6% më shumë se javën e shkuar duke arritur në nivelin më të lartë që nga Shkurti i vitit 2015. Për fat të mirë, 2050 është shumë larg dhe rezervat e kafesë janë në nivelin më të lartë që nga viti 2000.