Ditën e sotme është vetëdorëzuar në polici autori i plagosjes së 3 personave në zonën e Laprakës në Tiranë. Raportohet se Elton Mergjyshi ka plagosur me thikë Roxhersa Rrapollarin 40 vjeçe, Viktor Rrapollarin 64 vjeç dhe Masimo Sorvilo 45 vjeç.
Roxhersa Rrapollari dhe bashkëshorti i saj italian Masimo Sorvilo kanë dhënë deklaratën e tyre në polici duke zbuluar dinamikën dhe motivet e ngjarjes. Ata kanë pohuar se autori Elton Mergjyshi kishte shkuar te lokali ku ndodheshin, fillimisht ka debatuar me italianin duke i kërkuar llogari pse e kishte hequr nga puna. Në debat e sipër ai ka nxjerr thikën dhe ka plagosur fillimisht 64-vjeçarin Viktor Rrapollari, pasi ka dashur të ndërhyjë për të qetësuar situatën. Sipas dëshmisë së vajzës tij, ka treguar se kur ka parë të atin të plagosur ka ndërhyrë dhe në këtë çast agresori e ka qëlluar në dorë. Më pas Mergjyshi ka plagosur në kraharor italianin Massimo Sorvillo, i cili e kishte marrë me qira lokalin ku ndodhi ngjarja. 47-vjeçari italian ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe babanë e saj. Dëshmia e 64-vjeçarit Viktor Rrapollari nuk është marrë ende nga grupi hetimor pasi është në gjendje më të rëndë se dy të plagosurit e tjerë. Vetë italiani Sorvillo ka deklaruar për policinë se e kishte pushuar pasi nuk i pëlqente puna e tij.