Autoritetet policore në Spanjë kanë zbuluar autorët e dyshuar që vodhën Marko Verratin teksa ai po qëndronte në vilën në Ibiza në pronësi të ish-futbollistit të Interit dhe Brazilit, Ronaldo.
Hajdutët e arrestuar janë pjesë e një bande, ku përfshihen shqiptarë dhe spanjollë, që grabisin shtëpi dhe vila, shkruajnë mediat e huaja. Dy të arrestuarit janë një shqiptar dhe një spanjoll dhe akuzohen për “grabitje” dhe “pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.
Mësohet se shtetasi shqiptar i arrestuar, në deklaratën e tij para hetuesve ka thënë se ka mbërritur në ishullin Ibiza të hënën e kaluar, një ditë pasi kishte ndodhur grabitja dhe ka mohuar përfshirjen e tij.
Shqiptari dhe spanjolli kanë grabitur bizhuteri, orë dhe sende të tjera me vlerë të Marko Verratit, me vlerë rreth tre milionë euro, si dhe 10.000 euro cash.
Policia arrestoi dy grabitësit në portin e Denias, në Alicante, kur zbritën nga trageti me makinën me të cilën ishin larguar nga ishulli, ndërsa në provincën e Malagas arrestuan katër persona të tjerë të të njëjtit grup kriminal.
Kur u arrestuan, hajdutët, shqiptari dhe spanjolli, kishin me vete pjesën më të madhe të sendeve të grabitura, shkruajnë mediat.
Si ndodhi grabitja?
Mësohet se autorët hynë nga një dritare e hapur e vilës dhe në të njëjtën kohë, poshtë në shtëpi zhvillohej një festë e organizuar nga Verratti. Por asnjë prej të ftuarve, apo futbollisti dhe as 4 rojet e sigurisë nuk kuptuan asgjë.