Protestat nuk do të ndalojnë reformën e pensioneve apo ndryshime të tjera politike, tha presidenti francez Emmanuel Macron në departamentin Hautes-Alpes ku erdhi për të mbajtur një fjalim përpara shpalljes së një plani me 50 masa për parandalimin e krizës së furnizimit me ujë, raportojnë agjencitë.
Plani përfshin një gamë të gjerë masash duke përfshirë ripërdorimin e ujit, ndarjen e ujit dhe parandalimin e rrjedhjeve.
Macron dhe qeveria e tij shpresojnë të kalojnë në tema të tjera përtej reformës së pensioneve që ka ndezur protesta të ashpra në të gjithë vendin në dy muajt e fundit.
Në Savines-le-Lac në Alpe, ku do të mbahet fjalimi, Presidenti i Republikës u prit nga një grup protestuesish kundër reformës së pensioneve.
“Macron, jep dorëheqjen!” dhe “Merre pensionin tënd, jo tonën”, shkruante në pankarta.
Mediat lokale raportuan se dy protestues u arrestuan, raporton Reuters.
Uji është gjithashtu një çështje shumë e diskutueshme në Francë.
Dy burra përfunduan në koma pasi u përleshën me policinë të shtunën gjatë një proteste të paligjshme kundër ndërtimit të një rezervuari të madh uji për vaditje në Francën perëndimore.
Thatësira e verës së kaluar, më e keqja e Francës deri më sot, intensifikoi debatin mbi burimet ujore në prodhuesin më të madh bujqësor të BE-së.
Fermerët theksojnë se kanë nevojë për rezervuarë të mëdhenj uji për të ujitur të korrat e tyre këtë verë, por grupet mjedisore pohojnë se kjo shpërdoron ujin dhe se fermerët në këtë mënyrë do të përvetësojnë të mirën e përbashkët.
“Protestat janë normale”, u tha Macron gazetarëve, “por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalemi”.
“Asgjë nuk e justifikon dhunën në një shoqëri demokratike”, tha ai dhe shtoi se protestuesit kundër rezervuarit të ujit kishin ardhur “për të bërë luftë”.
“Kjo nuk është e pranueshme”, theksoi ai.
“Dhuna bëhet një formë zakoni mes disa njerëzve dhe ajo duhet të shtypet me vendosmëri”, tha Macron.
Sipas autoriteteve, midis 6,000 dhe 8,000 njerëz u mblodhën në protestën të shtunën, dhe 30,000 sipas organizatorëve.
Lidhja e të Drejtave të Njeriut kritikoi autoritetet për përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve.
Organizatorët bënë të ditur se janë plagosur 200 persona, nga të cilët dy demonstrues kanë përfunduar në koma.
Familjet e tyre ngritën padi për tentativë vrasje, raporton AFP.