Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla është arrestuar dje në mbrëmje. Sipas njoftimit zyrtar te SPAK ai akuzohet për “Shkelje te barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”. Veç Allës, SPAK ka kërkuar arrestimin edhe të 12 personave të tjerë shumica zyrtare të Bashkisë së Bulqizës.
Arrest në burg për Lefter Allën, Enkeleda Lleshin, Rubin Kolën, Erion Isakun, Leonard Dacin, Arseb Gjokën, Kujtim Zogun, Denis Xholin, Rasim Dacin, Dalo Gazidedja, Aqif Koneshën dhe ‘arrest shtëpie’ për Kastriot Ibrahimajn dhe Ana Nishkun
Në njoftimin e SPAK thuhet se nga hetimet për kryebashkiakun Lefter Alla evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur në datë 30.04.2021, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, Lefter Alla në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion ‘BOE Egland SHPK’ dhe ‘BE-IS SHPK’, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga ‘OE 2AF Albania SHPK’, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Kjo procedurë prokurimi dyshohet që është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim legjislacionin ne fuqi.
Aktet deri në këtë fazë të hetimit njoftojnë se të hetuarit i miratuan kritere për të favorizur një firmë pjesëmarrëse në tender. Firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin një prej personave të hetuar, i cili rezultoi lidhje e afërt e kryetarit të Bashkisë, Lefter Alla.