2 mijë doza të tjera të vaksinës HPV kundër kancerit të qafës së mitrës, për vajzat 13 vjeçare janë shpërndarë për sistemin parësor pas interesit të madh që pati në fazën e parë.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Ne do të vijojmë fushatën kombëtare të vaksinimit kundër HPV dhe që në muajt e parë të aplikimit të vaksinës janë 2400 vajza të cilat janë vaksinuar dhe kemi patur një përthithje maksimale të vaksinave. Ndërkohë që kemi tashmë të mbërritura 2000 vaksina të tjera, të cilat menjëherë janë shpërndarë në të gjithë territorin. Përfshirja e kësaj vaksine në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit e bën tashmë vaksinën të aksesueshme nga i gjithë targeti përfitues, që janë vajzat 13-vjeçare”, tha Manastirliu.
Vaksina kundër HPV është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13 vjeç.
Vaksina HPV ofrohet në një dozë të vetme, bazuar në vlerësimin e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve të Imunizimit dhe në rekomandimet e grupit të ekspertëve të OBSH.