I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar dhe ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, Morel Kertalli.
41-vjeçari është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Zyra Qendrore e Interpol Tirana, pasi Gjykata e Durrësit me 22 Shtator 2017, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Morel Kertalli akuzohet për një ngjarje të ndodhur në gusht të 2017, në Shijak. Sipas policisë 41-vjeçari në bashkëpunim me vëllanë e tij, Enkel Kërtalli qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga Dashamir Gjoka, biznesmen prej dy dekadash.
Disa ditë më parë u ekstradua edhe Enkel Kërtalli, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pre të njëjtat akuza si i vëllai.