Drejtori i ri i Teatrit Kombëtar do të jetë regjisori Altin Basha.
Të hënën e 12 dhjetorit, Këshilli i Ministrave ka miratuar lirimin nga detyra të Hervin Çulit dhe zëvendësimin e tij me regjisorin shqiptar.
Ky vendim është publikuar në faqen zyrtare të qeverisë dhe pritet të botohet në Fletoren Zyrtare.
Regjisori Basha njihet si një ndër zërat në mbështetje të qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Ai, në daljet publike, është shprehur se godinës së vjetër i kishte humbur funksionalitetin që prej 20 vitesh.
“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më ë e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm pasi do t’u shërbejë qytetarëve”, ka thënë ai.
Po ashtu ka shtuar se ai nuk ka qenë i projektuar për teatër, por është adoptuar për teatër.
“Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, ka theksuar Basha.
Sipas tij, nuk ka pasur asgjë dramatike në shembjen e godinës dhe ndërtimit të një teatri të ri.
“Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë, por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, ka ravijëzuar ai.