Sipas hetimeve, në grupin radikal që planifikoi të rrëzonte qeverinë legjitime në Gjermani është edhe ish-deputetja e “Alternativës për Gjermaninë” nga Berlini, Birgit Malsak-Winkmann.
Kështu raporton Spiegel.
Malsak-Winkmann, e cila është 58 vjeçe, ka punuar në parlamentin e mëparshëm nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Ajo dyshohet se ka disa armë zjarri.
Avokati i saj nuk pranoi të komentonte mbi akuzat kur u pyet nga media.
Zëdhënësi federal i partisë, Tino Churpalla, dhe bashkëdrejtuesja e forcës politike, Alice Weidel, thanë se ata mësuan për gjithçka “nga media, si shumica e qytetarëve”.
“Ne dënojmë dhe kundërshtojmë me forcë çdo përpjekje të tillë. Tani duhet të presim hetimin. Ne i besojmë plotësisht autoriteteve përkatëse dhe kërkojmë zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të rastit,” komentuan ata.
Organizata e partisë së Berlinit u përgjigj se këto janë akuza shumë të rënda dhe nëse fajësia e saj vërtetohet, politikania do të përjashtohet pashmangshëm nga partia.
Siç është raportuar, forcat speciale të policisë në Gjermani të mërkurën po kryejnë një operacion special njëkohësisht në njëmbëdhjetë shtete federale kundër një organizate ekstremiste të krahut të djathtë që planifikoi të rrëmbejë politikanë dhe të sulmojë Bundestag-un.
Besohet se sulmuesit prisnin fillimin e trazirave si rezultat i veprimeve të tyre dhe një “grusht shteti” në Gjermani.
Mes 25 të arrestuarve është një përfaqësues i një familje fisnike gjermane dhe një shtetas rus.