Protesta e Berishës ka lënë në hije Samitin e Bashkimit Europian, pavarësisht rëndësisë historike që ka për vendin tonë.
Mediat më prestigjoze ndërkombëtare u pushtuan nga incidenti, ku një 31 vjeçar goditi me grusht në fytyrë liderin e PD, Sali Berisha.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se “lideri i opozitës u qëllua me grusht në fytyrë, teksa marshonte në protestë. Ai u gjakos në fytyrë para fjalës në tubim” – vijon më tej “Reuters”.
Ndërsa agjencia italiane e lajmeve “Ansa” shkruan se Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një i panjohur, teksa shkonte në protestën kundër qeverisë së Edi Ramës, me rastin e samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
“Protesta anti-qeveritare mbahen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë”, shkruan media online pranë Brukselit, “Euraktiv”.
Në samit u fol për shumë gjëra, por rrallë kush i dëgjoi. Pavaresisht karizmës së tij, Ramës i dështoi plani pasi madhështisë së Samitit i zuri rrugën Sali Berisha.
E vetmja temë që tërhiqte vëmendjen ishte ajo e emigrantëve. U fol për këtë krizë, mirëpo fjalët mbeten fjalë. Pasi diku në Kanalin La Mansh mes Francës dhe Anglisë do jetë duke kaluar një gomone me të rinj shqiptarë. Mes jetës dhe vdekjes, me shpresën e vrarë për një jetë më të mirë.