Botërori për Andre Onana ka përfunduar para kohe. Portieri i Kamerunit është larguar nga grumbullimi i kombëtares afrikane për arsyeje disiplinore. Sipas asaj që raportojnë mediat botërore dhe burime pranë federatës kamerunase të futbollit, shkak i këtij largimi është bërë një përplasje verbale që gardiani i Interit ka pasur me trajnerin, Rigobert Song. Duke iu referuar këtyre burimeve, Onana ka akuzuar trajnerin se nuk hedh në fushë lojtarët më të mirë, duke iu referuar qendërmbrojtësit Nkoulou, i cili në duelin ndaj Zvicrës bëri gabime të shumta.
Reagimi i Song ka qenë i beftë, teksa është kundërpërgjigjur me faktin se Onana nuk pozicionohet mirë në fushë dhe daljet e shpeshta nga zona mund t’i kushtojnë shumë skuadrës. Një vendim që dhemb jo pak te Kameruni, pasi i duhet të bëj pa shërbimet e portierit titullarë në duelin e fundit në grup kundër Brazilit. 26-vjeçari ka nisur tashmë pushimet dhe do bashkohet me skuadrën e Interit në përgatitje për rikthimin në fushë në muajin janar. / Klan News