Autoritetet e Republikës Domenikane kanë urdhëruar të premten e 18 nëntorit ekstradimin e shtetasit shqiptar Saimir Hysenbelliu drejt Shqipërisë, pasi kërkohet për vepra të ndryshme penale.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar dekretin presidencial numër 683-22.
Dhoma e Dytë e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë shtyu gjatë muajit maj seancën e ekstradimit të Hysenbelliut, i akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore.
Asokohe, ai refuzoi të ndihmohej nga një avokat shtetëror, pasi nuk fliste spanjisht, por avokati i tij privat nuk u paraqit në seancë, me pretendimin se kishte angazhime të tjera jashtë qytetit.
Magjistratët që e njihnin rastin e shqiptarit, i cili prej tetë vitesh banonte në vend, i rekomanduan atij të reflektonte për një avokat shtetëror.
I pandehuri deklaronte se nuk e kuptonte se për çfarë e akuzonin dhe nuk mund të mbrohej, pasi fliste vetëm gjuhën e tij amtare, “E di që kam nevojë për avokat, por le të jetë privat”.
Hysenbelliu qëndroi gjatë gjithë kësaj kohe në Njësinë e Transferimit të Sigurisë Maksimale (UTAR), në Qendrën Korrektuese dhe Rehabilituese për Burra “Najayo”.
Ndërtimi i ngjarjes
Gjatë operacionit në vitin 2019 që angazhoi autoritete si DSA-ja amerikane apo Interpol-i dhe Europol-i do të përmbylleshin hetimet për trafikim të qenieve njerëzore me 51 të pandehur.
Mes tyre, do të rezulonte edhe Saimir Hysenbelliu.
Bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal të cilët kundrejt pagesës kalonin ilegalisht shtetas shqiptarë dhe jo vetëm drejt BE-së dhe SHBA-ve.
Pagesat varionin nga 30 mijë dollarë për një dërgim në SHBA, 10 mijë paund për në Britani dhe 5-10 mijë euro për vendet e BE-s.
Në këtë grup ishin të përfshirë shqiptarë, maqedonas, bullgarë, grekë dhe italianë.
Ky grup kriminal ishte i ndërtuar në shtatë klasifikime: personat e interesuar, garantët e mbajtjes së parave, paguesi që merrte përsipër trafikimin, rezervuesit e biletave dhe akomodimeve, falsifikatorët e pasaportave e vizave, etj.