“Kur ne morëm detyrën, eksportonim 100 milionë dollarë produkte bujqësore. Sot e kemi çuar në 400 milionë dollarë dhe do ta çojmë në mbi 1 miliard dollarë në mandatin e tretë”.
Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhënë gjatë një takimi me fermerët e Tepelenës.
Kësaj deklarate i kanë qëndruar besnik në fjalën e tyre edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
A mundet sot qeveria “Rama” që, brenda tre viteve, të arrijë shifrat e 1 miliard dollarëve, pra 600 milionë dollarë më shumë, duke qenë se në dy mandate – me katër ministra të ndryshëm – eksportet për bujqësinë u rritën me 300 milionë dollarë?
Sipas ekspertit të bujqësisë, profesor Ilir Pilku, kjo shifër është e arritshme, por që duhet të merren disa masa paraprake nga politikëbërësit.
“Që të arrish 1 miliard dollarë eksporte, duhet të shtohen investimet në disa sektorë”, ravijëzoi ai për Albanian Post.
Sipas profesorit, sektorët më me rëndësi në të cilat duhet të investohet janë serat, agrumet, frutikultura, blegtoria dhe arroret, duke qenë se kanë potencial të konkurrojnë edhe në tregjet evropiane.
Për serat, Pilku tha se janë bërë investime, por në masë të vogël, pasi “bazuar te shifrat për vitin 2021, janë shtuar vetëm 67 hektarë sera”.
“Pra, me një rritje kaq të ngadaltë të investimeve, nuk mundet që të arrihet rritja e volumit të eksporteve me 100%”.
Për sa u përket agrumeve, Pilku listoi mandarinën, portokallin dhe limonin, si grupin me të cilin Shqipëria mund të prezantohet në tregun evropian.
Blegtoria, si një sektor kryesor në aktivitetin bujqësor të Shqipërisë, ka mbetur mbrapa me investime dhe kjo, sipas profesorit, vihet re në sasinë e madhe të importit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
“Një element tjetër i rëndësishëm do të ishte edhe fuqizimi i blegtorisë, e cila do të mundësonte që të ulej importi i qumështit dhe i lëndëve të para dhe nënprodukteve të qumështit (djathit, gjalpit dhe kosit)”.
Investimet në fushën e blegtorisë, shton profesori, do ta bënte sektorin një mundësi të mirë për të zgjeruar eksportet. Kjo, bazuar edhe te rekomandimet e Bashkimit Evropian (BE).
“Zgjerimi i eksportit në lidhje me produktet e mishit dhe të qumështit, është një nga kushtet që edhe BE-ja ia ka vendosur Shqipërisë, pikërisht në Kapitullin 12”.
“Ky kapitull, fatkeqësisht, është një kapitull i pambyllur akoma në lidhje me masat dhe detyrimet që duhet të plotësojë Shqipëria për eksportet e produkteve blegtorale në BE”, vijoi Pilku.
Së fundmi, por jo nga rëndësia, eksperti i bujqësisë përmendi arroret, nga të cilat gështenja ka statistikën më pozitive të eksportit.
Në bazë të një studimi të vitit të kaluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, arroret, veçanërisht gështenja, përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet ku alternativat e punësimit janë të pakta.
Në rang botëror, studimi e rendit Shqipërinë në vendin e 9-të për eksportin e saj.
Gjatë një interviste, Ergent Pire, menaxher i Shërbimeve për Agrobiznesin, pranë kompanisë së konsulencës për rritjen e bizneseve, Creative Business Solutions, tha se një ndër politikat në mbështetje të prodhimit dhe zgjerimit të eksportit është kompensimi i kostove të fermerëve nga shteti.
“Duke qenë se një nga problemet kryesore që shprehet shpesh nga fermerët është kosto e lartë e prodhimit, mbështetja mund të fokusohet në kompensimin e një pjese të kostove të prodhimit, nëpërmjet skemave të mbështetjes për sasi produkti”.
Sipas tij, kjo mbështetje direkte do të reduktonte kostot për fermat bujqësore, duke kontribuar në një ulje të çmimeve në tregun vendas dhe e bërë bujqësinë shqiptare konkurruese në tregjet e eksportit, në raport me vendet e tjera të rajonit.
Këto skema kombëtare të mbështetjes duhet të harmonizohen dhe përafrohen me Politikat e Përbashkëta Bujqësore (CAP) në Bashkimin Evropian, tha ai.
Masat e reja, vijoi shpjegimin ai, duhet të promovojnë “zhvillimin rural dhe kohezionin social, të prezantojnë përfitimet mjedisore dhe të zbatojnë kritere që nxisin operatorët për të zbatuar standardet e sigurisë dhe cilësisë”.
Për profesor Pilkun, nëse qeveria do të investonte në zgjerimin e sipërfaqeve të mbjelljes dhe të përmirësonte teknologjinë e prodhimit, do të minimizonim importet dhe do të mund të konkurronim në tregun evropian.
“Bujqësia ka nevojë për fonde. Aktivitetet e shumta bujqësore, që në Shqipëri operohen, pra ne kemi rreth 72 aktivitete bujqësore, ku 25 janë shumë potenciale. Ky është favori që ka Shqipëria në rrjetin ballkanik. Këto aktivitete duhet të shfrytëzohen në mënyrën e duhur dhe për këtë duhen të buxhetohen para më shumë”, përmbylli eksperti.