Cristiano Ronaldo nuk po kalon momentin më të mirë në karrierën e tij fantastike. Portugezi po mendon prej kohësh largimin nga Manchester United, gjithnjë nëse skuadra vijon të trajnohet nga holandezi, Erik Ten Haag. Ka qenë pikërisht tekniku ai që ka prishur harmoninë mes Ronaldos dhe klubit anglez, marrëdhënie e krisur në muajt e verës.
“Mancheseter United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri, por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar. Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit, por as në sezonin e kaluar. Nuk kam respekt për Ten Hag”, tha Ronaldo.
Në intervistën për gazetarin Piers Morgan, Ronaldo zbuloi edhe hapin e gabuar, duke identifikuar largimin nga Real Madrid.
“Jam penduar që u largova nga Real Madrid. Aty kisha respektin e të gjithëve, aty kisha dashuri. Nëse do të kthehesha pas në kohë, do të luaja atje pa para. Nuk duhej të largohesha kurrë nga klubi më i madh në botë. Më trajtuan si mbret’, u shpreh ai.
Momentalisht, 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ është i fokusuar te familja, duke hedhur poshtë bisedimet me një tjetër klub.
“Familja ime është gjithçka për mua, aq më shumë për shkak të asaj që kaluam gjatë këtij viti. Mesazhet që kam marrë më kanë emocionuar shumë. Nuk e prisja kurrë një trajtim të tillë nga Manchester, nga të cilët nuk kam marrë asnjë mbështetje”, tha Cristiano.
Aktivizimi i Ronaldos këtë sezon ka qenë me pikatore, kryesisht në sfidat kyçe të Manchester United, duke marrë minuta vetëm në Europa League, kompeticion në të cilin 37-vjeçari luan për herë të parë në këtë turne që prej kur mori këtë emër./ Klan News