Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi se rastet e abuzimeve me pronat, sidomos në bregdet, mbeten shumë shqetësuese.
Sipas tij, hetimet e nisura duhet të thellohen për të nxjerrë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit dhe shtoi se ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës janë tronditëse.
“Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet e nisura duhet të vazhdojnë e të thellohen për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit. Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse, pasi përveç pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë thellësisht besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre.
Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut”, theksoi Çela.