Korrupsioni ka të bëjë me shkeljen e një norme ligjore por edhe morale, nga ku individi përfiton diçka që nuk e meriton. Atë e gjejmë kudo sidomos në një vend me demokraci të brishtë si Shqipëria, ku efikasiteti i ligjit lë shumë për të dëshiruar. Ky fenomen ka zënë rrënjë duke u përhapur në çdo hallkë dhe fushë të mundshme. Madje edhe vetë universiteti nuk i ka shpëtuar dot.
Histori nga më të ndryshmet ku disa nga këto nuk kanë mbetur vetëm fjalë dhe hamendësime, por janë vërtetuar. Shumë pedagogë janë pezulluar nga puna pasi mashtrimi i tyre ka dalë në pah. Një rast i bërë publik edhe në media ishte ai në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku ishin të përfishirë pedagog, drejtues të lartë dhe vetë studentë, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ndërmjetësimin e një shumë të konsiderueshme parash, 200-700 euro krijuan një skemë të mirëfilltë korrupsioni. Pedagogët u siguronin studentëve të tyre nota kaluese në provime, por edhe vlerësime më të larta, në varësi të vlerës monetare. E gjithë kjo gjë bëhej pasi duhej nota kaluese për t’u regjistruar në master.
Pikërisht këtu lindin shumë pikëpyetje, jo vetëm për faktin se si pedagogët që bëjnë një punë kaq sublime dhë përcjellin dije arrijnë deri në këtë faze ordinere. Shumë mund t’i justifikojnë duke thënë se paga e një pedagogu është skandaloze dhe e pamjaftueshme, por kjo nuk është zgjidhja. Nëse është kështu atëherë duhet bërë presion tek organet kompetente dhe jo të shkelet me këmbë studenti. Duhet shtuar edhe fakti që kryesisht pedagogët punojnë edhe në 18 universitetet private që gjenden në Shqipëri, prandaj ky justifikim qesharak bie poshtë.
Një tjetër pyetje problematike del në pah dhe hap vend për shumë polemika. Ku i gjejnë studentët këto para? Paga mesatare e një prindi një Shqipëri nuk i kalon 400 mijë lekë të vjetra dhe shpenzimet e tij nuk janë të pakta, pasi ai ka për t’u kujdesur për familjen, për të paguar dritat, ujin, ushqimet dhe shpenzime të tjera pa fund. Epo ndoshta ua sigurojnë prindërit, ndoshta të afërmit, ndoshta droga, ndoshta prostitucioni, ndoshta punojnë vetë. Nuk i dihet, por ajo që dihet është se këto shifra janë shpesh të papërballueshme për një student që bën një jetë mesatare në këtë vend.
E gjithë kjo nuk përfundon me kaq, por skandalet dhe korrupsioni i ka kaluar caqet e saj pasi nuk kërkohet vetëm shumë monetare por edhe favore seksuale, siç ishte rasti i pedagogëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
E çfarë mund të themi për këtë rast dhe për fatin e atyre femrave që hasen më propozime kaq të turpshme, të pamoralshme dhe skandaloze. Thuajse në çdo universitet flitet për “legjenda”, por që vetëm arrijnë të pëshpëriten saqë edhe muret e fakultetit nuk i dëgjojnë dot.
Frika dhe mungesa e shpresës së çdo ankese që bëhet për pedagogët do të bjerë në vesh të shurdhët dhe mungesa e besimit tek organet kompetente çon në heshtjen e studentëve.
Kjo heshtje nuk po vret vetëm fakultetin, por edhe vetë dijen. Studentët blejnë pseudo “librat” shkencorë të mbushuara me gabime drejtshkrimore, ose fjalë pa sens pavarësisht çmimit të kripur. Edhe kjo është një formë tjetër korrupsioni që haset rëndomtë nëpër fakultetet tona.
Gjëja më shqetësuese është se këto raste aspak etike nuk ndodhën një ose dy herë, por përbëjnë tashmë një fenomen në dyert e universiteteve shqiptare. “Dija” në shumë raste “të heshtura” është shëndërruar në pazar mallrash që blihet dhe shitet në këmbim të parave.