Shqipëria do të njohë këtë dielë kundërshtarët që do të ketë përballë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, me shortin që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë dhe do të nisë në ora 12:00.Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, dhe për këtë arsye nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore.
53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J.
Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.
Faza finale e Europianit, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, do të zhvillohet nga 14 qershor deri më 14 korrik 2024 në Gjermani.Shqipëria është e pozicionuar në vazon e tretë të shortit së bashku me Ukrainën, Islandën, Norvegjinë, Slloveninë, Republikën e Irlandës, Malin e Zi, Rumaninë, Suedinë dhe Armeninë.
Katër finalistët e UEFA Nations League e më konkretisht Holanda, Kroacia, Spanja dhe Italia, do të luajnë ndeshjet finale të këtij kompeticioni në qershor 2023. Si pasojë, këto skuadra kanë vetëm tetë ditë ndeshjesh në dispozicion për fazën e grupeve të eliminatoreve dhe duhet të pozicionohen në grupe me pesë skuadra në këtë short.
Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s këto skuadra nuk mund të shortohen në të njëjtin grup: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë, Kosovë/Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë/Serbi.