Administrata e presidentit amerikan Joe Biden paralajmëroi privatisht Kremlinin se çdo përdorim i armëve bërthamore në luftën kundër Ukrainës do të kishte “pasoja katastrofike” për Rusinë.
Sipas Bloomberg, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, këtë e ka thënë në TV.
Sullivan vuri në dukje se kërcënimet e fundit bërthamore të Putinit “duhen marrë jashtëzakonisht seriozisht”.
“Ne i përcollëm Kremlinit – privatisht, në një nivel shumë të lartë – se çdo përdorim i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike për Rusinë, se SHBA dhe aleatët tanë do të përgjigjeshin me vendosmëri. Dhe ne shpjeguam shumë qartë dhe në detaje se cilat mund të jenë pasojat” , tha ai.
Sullivan shtoi se Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, kanë deklaruar publikisht gatishmërinë e tyre për t’u përgjigjur me vendosmëri dhe për të vazhduar të mbështesin Ukrainën, duke përfshirë përpjekjet e saj për të kthyer territoret e pushtuara nga Rusia.
Më herët, Washington Post, duke cituar burimet e saj, raportoi se Uashingtoni ka disa muaj që paralajmëron Rusinë për pasojat e përdorimit të armëve bërthamore.