Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 16 shtator 2022 të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Bedri Qori, pas dorëheqjes së tij nga detyra. Po ashtu, u vendos ndalimi i rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Në vendimin e KPK thuhet se hetimi administrativ për gjyqtarin Qori ka filluar në qershor të vitit 2020. Dy vjet më vonë, në korrik të 2022-it, Qori i ka kërkuar Komisionit pezullimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të tij dhe ndërprerjen e vetingut për shkak të dorëheqjes. Ai ka sqaruar se pak ditë më parë kishte depozituar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ kërkesën për heqjen dorë nga statusi i magjistratit, me motiv ngarkesën në rritje të punës, plotësimin e vjetërsisë në detyrë prej më tepër se 35 vjet, si dhe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Më 21 shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi gjithashtu të ndëpresë procesin e rivlerësimit ndaj gjyqtares së Elbasanit, Miranda Konica për shkak të dorëheqjes së saj.
Në vendimin e KPK sqarohet se hetimi administrativ ndaj gjyqtares Konica ka filluar në qershor të vitit 2020. Në gusht të 2022-it, Komisioni është njohur me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Konica.
Megjithëse në pjesën ku pasqyrohen rrethanat e çështjes, KPK nuk jep detaje lidhur me dorëheqjen e subjektit nga detyra, në kreun ku parashtrohen arsyet e përfundimit të procesit të rivlerësimit për Konicën, thuhet se subjekti ka ushtruar të drejtën për t’u dorëhequr.
Bazuar në kriteret e përcaktuara në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, Komisioni vendosi sanksionin që i kufizon të drejtën t’u emëruar në çdo nivel të sistemit të drejtësisë për gjyqtaren Miranda Konica.