Shqiptarët vazhdojnë t’iu besojnë më shumë institucioneve të huaja, por shkalla e besimit tek to pësoi rënie vitin e kaluar. Sipas sondazhit të opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2021”, përqindja e shqiptarëve që shfaqën besim te Bashkimi Europian pësoi rënie në 71% nga 75% që ishte një vit më parë, besimi tek Organizata e Kombeve të Bashkuara pësoi rënie në 71% nga 71% një vit më parë dhe besimi në NATO pësoi rënie në 73%, nga 76% një vit më parë.
Tendenca në rënie e besimit tek institucionet ndërkombëtare përkon me një periudhë kur kryeministri i vendit ka shfaqur tone gjithnjë e më kritike ndaj partnerëve të huaj dhe sidomos BE-së, sidomos në lidhje me pengesat dhe vonesat në procesin e integrimit europian. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka shfaqur edhe nisma të tjerë që reflektojnë një frymë sovraniste përkundrejt spekticizmit të partnerëve europianë, si, për shembull, nisma e Ballkanit të Hapur apo ajo e amnistisë fiskale.
Institucionet vendase vazhdojnë të kenë një shkallë të ulët besimi, por niveli i besimit tek to u shfaq në rritje vitin e kaluar. Kështu, besimi tek qeveria qendrore u rrit nga 36% në 45% e të anketuarve, besimi tek qeveria vendore u rrit nga 42% në 44% dhe besimi te parlamenti u rrit nga 24% në 33%, ndërsa besimi te Presidenti ngeli i pandryshuar në nivelin 24%.
Rritje u shënua madje edhe tek institucione që historikisht kanë gëzuar një shkallë të ulët të besimit të publikut, si prokuria dhe gjykatat (nga 24% në 28%) dhe partitë politike (nga 20% në 26%).
Rritje e besimit u shënua edhe në ecurinë e reformës në drejtësi. 35% e të anketuarve në këtë sondazh beson se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi dhe 57% e të anketuarve besojnë se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Në 2021, përqindja e të anketuarve që mendojnë se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi u rrit me 6 pikë përqindje krahasuar me 2020. Po ashtu, përqindja e të anketuarve që mendojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e Shqipërisë u rrit me 4 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.
Ndër institucionet vendase, ato fetare kanë shkallën më të lartë të besimit, me 67%, por edhe ato kanë pësuar një rënie nga niveli 70% i vitit 2020.
Në 2021, 38.8% e të anketuarve besojnë se informacioni i dhënë nga media në Shqipëri është
i saktë ose i vërtetë. Shqiptarët që përdorin televizionin (42%) ose portalet (40%) si burimin
e tyre kryesor të informacionit për lajmet për aktualitetin priren më shumë të besojnë se
informacioni i dhënë nga mediat shqiptare është i saktë ose i vërtetë.
Edhe pse mediat sociale (28.9%) dhe portalet (10.3%) po bëhen përherë e më shumë popullore për shqiptarët si burimi mediatik për marrjen e të rejave me të fundit për aktualitetin, televizioni (54%) mbetet burimi mediatik më popullor, veçanërisht për banorët e zonave rurale (60%).
Për Sondazhin e Opinionit Publik ‘Besimi në qeverisje 2021’ u përdor një kampion përfaqësues i
popullatës shqiptare prej 2,500 të anketuarish të shpërndarë në të 61 bashkitë nga 12 qarqet e vendit. Ky raport është përgatitur në kuadër të Projektit “Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqipëri” (CSDA), një fond i përbashkët donatorësh, i cili zbatohet nga qeveria shqiptare në partneritet me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribues kryesor, bashkë me UNDP-në./monitor.al