Kosovës drejt Shqipërisë ka eksportuar mallra vlerë prej 89.8 milionë euro në periudhën janar-gusht të këtij viti.
Kurse, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 214 milionë euro për te njëjtën periudhë të vitit.
Eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë kanë kapur vlerën 89.8 milionë euro në periudhën janar-gusht, duke u rritur me gati 40 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Kosova ka eksportuar 45 për qind më shumë mallra drejt Shqipërisë edhe në muajin gusht duke kapur vlerën 12 milionë euro, sipas të dhënave të institutit kombëtar të statistikave në Shqipëri INSTAT.
Në anën tjetër, Shqipëria ka shënuar gjithashtu një rritje të eksporteve me Kosovën në periudhën janar-gusht të këtij viti. Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 214 milionë euro, krahasuar me 202 milionë euro të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë në muajin gusht, Shqipëria ka një rënie të eksporteve me 9.2 për qind më Kosovën krahasuar me gushtin e një vit më parë.
Në muajin gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me gushtin 2021 janë: Italia (29.0 për qind), Spanja (411.2 për qind) dhe Gjermania (43.1 për qind). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, përveç Kosovës, janë edhe Maqedonia (5.9 për qind) dhe Kina (86.8 për qind).
Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 6 për qind janë edhe Italia (49.1 për qind) dhe Gjermania (75.0 për qind).
Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (17.7 për qind).
Gjatë këtij tetë mujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 39.85 për qind janë edhe Italia (10.8 për qind), Turqia (34.6 për qind) dhe Greqia (33.8 për qind). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (16.2 për qind), Rusia (18.1 për qind) dhe Zvicra (13.7 për qind).
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e fundit të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, deklaroi se që kur është nisur puna nga afër me qeverinë e Kosovës, është rritur shumë volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Kur kemi nisur punën nga afër me qeverinë e Kosovës, kemi pasur një volum shkëmbimesh tregtare 160 milionë euro. Sot, ky volum është 433 milionë euro. Kemi hyrë në zonën ku shifrat janë më serioze në krahasim me ato të mëparshmet. E dyta, sot në Shqipëri ka mbi 1000 subjekte biznesi nga Kosova. Investimet e Kosovës në Shqipëri, në vitin 2017 ishin 9 milionë euro. Në vitin 2021, 139 milionë euro. E fundit, fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 milionëshi i vitit 2018, ndërkohë që jemi 41 milionë euro në vitin 2021. I kemi të gjitha mundësitë për të shtuar investimet reciprokisht”, pati thënë Rama në muajin korrik në Kosovë./monitor.al