Konfindustria kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë vendimin për kufirin që i vendos abonentëve për energjinë elektrike. Përmes një reagimi, Konfindustria kërkon që fasha të vendoset 1200 kw/muaj, e jo 800 kw/muaj, pasi rrezikohet që të preken 90 deri në 130 mijë familje shqiptare.
Sipas Konfindustrisë, pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare sidomos në zonat urbane ngrohjen gjatë muajve të dimrit e kanë mbështetur kryesisht te energjia elektrike. Po ashtu, ata shtojnë se goditje më të forta do të marrin buxhetet e familjeve me të ardhura të mesme.
REAGIMI I PLOTË:
Konfindustria i kërkon ekzekutivit të rishikojë vendimin për kufirin e konsumit të energjisë elektrike mbi të cilën do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët. Në këtë kuptim kërkohet, që kufiri të jetë jo më pak se 1200 këw/muaj nga 800 kw/muaj të paralajmëruar.
Konfindustria vlerëson, se kufiri prej 800kw/muaj konsum i energjisë elektrike në muajt e ftohtë tejkalohet nga jo më pak se 13-20% e familjeve, varësisht ashpërsisë së kushteve të motit. Sa më sipër do të thotë, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të preken të ardhurat e 90-130 mijë familjeve. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare sidomos në zonat urbane ngrohjen gjatë muajve të dimrit e kanë mbështetur kryesisht te energjia elektrike. Goditje më të fortë do të marrin buxhetet e familjeve me të ardhura të mesme. Njëkohësisht do të preken edhe më tej familjeve me të ardhura të ulta dhe shtresat në nevojë. Ndikimi i buxheteve familjare do të përcillet me pasoja të rënda shtesë te konsumi, bizneset dhe ekonomia kombëtare.
Shqipëria ka pavarësi të fortë, në jo më pak se 75%, krahësuese me shtetet e tjera të Europës nga ndikimi i çmimeve të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, përfshi edhe krizën e fundit të gazit rus. Sistemi energjitik shqiptar ka kapacitete të instaluara të prodhimit të energjisë elektrike më të mëdha sesa konsumi. Në vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike sesa nevojat e saj.
Problematikat kryesore qëndrojnë te:- varësia ndaj kushteve të motit, meqënëse ende prodhimi mbështetet te HEC- et si edhe – keqmenaxhimi i sistemit. Niveli i humbjeve teknike dhe jo teknike prej vitesh është mbi 21% të totalit me vlerë mbi 120 milion euro vit. Shumë pak është bërë në shtimin e shfrytëzimit të prodhimit të energjisë nga burimet diellore, të erës, etj. Gjithashtu, në mënyrë të pashpjegueshme TEC- i Vlorës me fuqi afër 100 MGë edhe pas 11 vitesh nuk është në gjëndje pune.
Qeveria ka vendosur që prej datës 1 tetor dhe deri në fund të dhjetorit familjet që do të shpenzojnë mbi 800 kilovat energji në muaj do ta paguajnë atë më shtrenjt. Çmimi i energjisë për konsumin mbi 800 kw/h është 42 leke për kw/h.