Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në ditën e dytë të samitit të “Open Balkan” i cili po zhvillohet në Beograd u shpreh se është e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit, dhe jo vetëm.
Rama: Jam i kënaqur që këtu sot me ne janë edhe 2 miq shumë të rëndësishëm për ne që përfaqësojnë dy vende po kaq të rëndësishme për rajonin tonë. Ministri i Jashtëm i Turqisë, të cilin dua ta falenderoj për praninë e tij. Turqia është një partner i pazëvendësueshëm strategjik i Shqipërisë por edhe një aleat i gjithë proceseve pozitive në vendin tonë. Po ashtu edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, të cilin gjithashtu dua ta falenderoj. Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit tonë dhe t’i bashkangjiten edhe vende kaq të rëndësishme sa Turqia, Italia, Greqi si dhe Hungaria.
Kryeministri Rama u shpreh se Ballkani është për Evropën po kaq i rëndësishëm saç është Evropa për Ballkanin.
Rama: Dua ta falenderoj presidentin Vuçiç dhe ekipin e tij sepse panairi nuk kishte asgjë më pak se panairet e së njëjtës fushë me famë botërore. Në këtë panair ishin bashkë dhe shumë prodhues të mirënjohur të verërave. Dje mund të kishte qenë një ditë tjetër, ku mediet tona dhe të Evropës të ishin të mbushura me lajme për atë që ndodh në kufirin me s Serbisë dhe Kosovës. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe cila është zgjedhja e Ballkanit të Hapur. Sot dua ta them me krenari që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e Ballkanit të Hapur. Dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja.
Kryeministri Edi Rama, u shpreh se pa nismën e Ballkanit të Hapur, tre vendet nuk do të kishin mundësi për të firmosur këto marrëveshje dhe as nuk do të kishin përfitime ekonomike.
“Me anë të Ballkanit të Hapur, u bë e mundur hapja e importit të grurit me Serbinë. Nuk do ishte e mundur nëse ne do të ishim në rrugën e konfliktit që trashëgim nga e kaluar. Një marrëveshje për magazinim, rezerva dhe lehtësim ushqimor, duke bashkuar forcat. Ti vëmë gjërat në dispozicion të gjitha ato që kemi. Ne nuk do hidhnim asnjë hap për masat energjitike. Se furnizimi me energji është problem dramatik europian. Buxhetet tona kanë hyrë në një rrugë hemoragjike për të garantuar energji. Dhe ne duhet të bashkojmë forcat. Se çfarë ka Serbia apo Maqedonia ta këmbejmë. Ato e kanë termo ne e kemi hidro. Sot për t’i ardhur në ndihmë vetës, ne mund të parashikojmë marrëveshje. Ne mund të marrim më shumë energji.” u shpreh Rama.
“Po ecim bashkërisht. Dua ta mbyll se faktet dhe shifrat flasin vetë. Jo shumë po 7 muajit e fundit kemi pasur vëllim tregtarë. Të shohim sa janë rritur eksportet. Sa janë rritur flukset dhe për të kuptuar se çfarë kohe dhe sa shumë vite kemi humbur dhe çfarë potenciali të madh ka akoma. Shifrat janë inkurajuese me atë se çfarë ishin. Të gjitha këto lidhen me njerëzit me fermerët, me qytetarët.” tha i pari i qeverisë shqiptare.