Media e njohur britanike, Daily Mail ka bërë një gafë në një nga shkrimet e saj duke shkruar se prindërit e futbollistëve shqiptarë Granit dhe Taulant Xhaka janë me origjinë serbe.
Në një nga artikujt e saj ku i referohet një emigranti shqiptar i cili ka bërë shqiponjën sapo ka mbërritur me gomone në Angli, Daily Mail shkruan se gjesti i tij ngjason me atë të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në ndeshjen e Zvricrës ndaj Serbisë 2-1, në Botërorin e vitit 2018. simboli festiv që bënë dy futbollistët ka sjellë vazhdimisht polemika të mëdha.
Më pas ajo merret me historinë e Granit Xhakës për të cilin thotë se mesfushori i Arsenalit, Xhaka, ka lindur nga prindër shqiptarë me origjinë serbe. Ndërsa thekson se “babai i tij ka qenë i burgosur politik pas demonstratave të studentëve të vitit 1968 në Jugosllavi kundër qeverisë komuniste në Beograd”.
Me këtë rast ngatërron edhe vitin e demonstratave sepse nuk bëhet fjalë për protestat e vitit 1968, por ato të vitit 1986. Media britanike nuk njeh as historinë e Kosovës dhe as atë të vetë prindërve të Taulant dhe Granit Xhakës.
Por më mirë se kushdo e ka rrëfyer për “The Guardian”, mesfushori i Arsenalit Granit Xhaka, i cili ka treguar për dënimit e atit nga regjimi jugosllav me tre vit burg.
“Me aq sa di unë, muajt e parë të burgut shkonin mirë, por më vonë filluan ta rrahin si i burgosur politik” – thotë Xhaka. Ragip Xhaka, ishte pjesëmarrës në demonstrata kundër qeverisë komuniste të Beogradit. Në vitin 1986 ai ishte 22 vjeç, dhe student i Universitetit të Prishtinës. Si djali i tij, kjo është diçka që më prek shumë, dhe e kam në zemrën time” – deklaron Graniti.
“Babai im është një Kosovar krenar, dhe mendonte që atë kohë se ata kishin të drejtë të ekzistonin. Ai protestonte për të drejtat e tij.”
Një nga detajet interesante është se si, Elmaze Xhaka, e ëma e Granit dhe Taulant Xhakës, u njoh me babain e tyre tre muaj para arrestimit dhe e priti atë tre vjet derisa doli nga burgu. Ragip dhe Elmaze Xhaka emigruan në vitin 1990 për në Zvicër. Një vit më vonë, ata lindën djalin e tyre të madh, Taulantin, në Bazel. Ndërsa Graniti, lindi 18 muaj më pas.