Fillimisht ishte faraoni ai që ndryshoi emrin e tij, nga Amenhotep IV në Akhenaten. Më pas ai udhëroi që një qytet i ri të ndërtohej shumë larg nga i vjetri. Dhe në këtë qytet, duhej të besohej dhe adhurohej vetëm një perëndi duke braktisur të gjithë të tjerët: perëndia e diellit Aten.
Por kjo nuk zgjati shumë, pasi 20 vite më vonë Akhenateni vdiq. Ishte një parantezë e 3 mijë viteve të stabilitetit kulturor që e karakterizoi Egjiptin e lashtë. Por gjurmët e tij të qëndrueshme në art dhe mendime, e bëjnë atë një nga revolucionet fetare më të diskutuara të të gjitha kohërave.
Një shpjegim i thjeshtë, është se Akhenateni ishte lodhur nga priftërinjtë e fuqishëm në kryeqytetin e vjetër të Tebës, të cilët adhuronin shumë perëndi, raporton abcnews.al.
Por sikur në të vërtetë, faraoni të ishte duke iu shmangur një epidemi?
Kjo nuk është diçka e re, por është rikthyer në fokus pas Covid-19. Pasi përjetuam pandeminë më të rëndë të shekullit të fundit, shumë egjiptologë dhe arkeologë e shohin të kaluarën me një sy tjetër.
Ata kanë parë ndikimin social që mund të ketë një pandemi, thellimin e pabarazive, refuzimin e autoritetit shtetëror, ksenofobinë dhe kanë kuptuar se këto dukuri ka të ngjarë të kenë precedentë.
“Sëmundjet infektive luajnë një rol kulturor dhe ekonomik, i cili përsëritet me kalimin e kohës, deri në ditët e sotme”, tha Louise Hitchcock nga Universiteti i Melbourne, Australi.
Duke parë se sa të ndërthurura janë mosmarrëveshjet sociale, idetë virale dhe viruset, Hitchcock dhe të tjerët pyesin nëse kjo mund të shpjegojë edhe ndryshimet kryesore kulturore që ndodhën në histori në kohën e Akhenatenit, gjatë pandemisë së Murtajës dhe Gripit Spanjoll të 1918–ës, raporton abcnews.al.
Rasti i murtajës, në Egjiptin e Epokës së Bronzit të vonë, na ofron disa të dhëna. Në vitin 2012, egjiptologia amerikane Ariel Kozlof sugjeroi se kishte shenja të një epidemie që në kohën në mbretërimin e babait të Akhenaten, Amenhotep III.
Ajo e vë theksin në të dhënat e shkruara, dhe tek fakti se Amenhotep kishte urdhëruar ndërtimin e shumë statujave të një Perëndeshë të shërimit, Sekhmet, që mbante kokën e një luani, më shumë se sa të çdo hyjnie tjetër.
Në një moment ai ndryshoi madje edhe rezidencën e tij perandorake, ndoshta në një përpjekje për të izoluar veten. Në vitin 2020, Jorrit Kelder nga Universiteti i Leidenit në Holandë, tha se e njëjta epidemi mund të ketë shtyrë Akhenatenin të ndërmerrte veprime më drastike. Kelder vuri re se njerëzit ndiheshin të zhgënjyer nga qeveritë, të cilat sipas pritshmërive të tyre, duhet t’i kishin mbrojtur nga Covid-19.
Reforma fetare e ndërmarrë nga Akhenateni në shekullin XIV Para Krishtit “mund të shihet ndoshta si një veprim parandalues për të theksuar dështimin, jo të tijin, por të Perëndive tradicionale për ta mbrojtur Egjiptin”, tha ai.
Megjithatë, qyteti i ri i Akhenatenit, Amarna, u bë shpejt një qendër vendimtare i tregtisë dhe diplomacisë.
Prandaj, as ai mund të mos i ketë shpëtuar epidemisë dhe e njëjta sëmundje ngjitëse, mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij, të bashkëshortes Nefertitit, dhe 3 vajzave të tyre.
Sëmundja misterioze mund të jetë përhapur edhe përtej Egjiptit, sidomos kur njerëzit filluan të braktisnin Amarnën. Hichcock ngre pyetjen nëse kjo gjë dobësoi një sërë qytetërimesh mesdhetare, duke çuar në shkatërrimin e tyre.
Të njëjtën qasje ka edhe Joel Finkelstein bashkëthemelues i Institutit të Kërkimeve për Rrjetet Infektuese (NCRI) në New Jersey, SHBA.
NCRI analizon tendencat e informacioneve në rrjetet sociale, dhe i lidh ato me ngjarje të botës reale. Që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, pavarësisht nga orientimeve politike, NCRI ka vënë re rritjen e “grupeve fetare revolucionare, që po tentojnë të prishin marrëdhëniet me shoqërinë, për të krijuar diçka që sjell një epokë utopike”, tha Finkelstein.
Aktiviteti i këtyre grupeve tani është përhapur kudo. Studiues të tjerë kanë vënë se njerëzit i drejtohen fesë në kohë epidemish, madje edhe në një epokë gjithnjë e më laike si kjo e sotmja.
Në prillin e vitit 2020, Qendra Kërkimore Pew në Shtetet e Bashkuara, raportoi se 1/4 e të rriturve deklaruan se besimi i tyre u rrit edhe më shumë pas shpërthimit të Covid-19. Ajo që njerëzit kërkojnë tek feja në këto kohë, është më pak e qartë. Por ka shumë të ngjarë që për shumë njerëz të jetë një rend social më i kontrolluar.
Mishel Gelfand nga Universiteti iStenfordit në Kaliforni, argumenton prej kohësh se normat e një shoqërie ndryshojnë në përgjigje të kërcënimeve mjedisore si sëmundjet, uria dhe rreziqet natyrore, që kërkojnë bashkëpunim më të madh.
Një nga mënyrat për t’i inkurajuar këto veprime, është lutja ndaj një “Perëndie” për t’i ndëshkuar shkelësit e ligjit.
Por feja nuk është mënyra e vetme për ta shndërruar një kulturë me norma më të ashpra.
Në një studim që përfshin gati 250.000 njerëz në 47 vende, Leor Zmigrodnga Universiteti i Cambridge dhe kolegët e tij, zbuluan se qëndrimet konservatore dhe autoritare, rriten me shtimin e sëmundjeve infektive, dhe pavarësisht të ardhurave, arsimimit dhe faktorëve të tjerë.
Dhe kjo lidhje vlen vetëm për sëmundjet e transmetuara nga një njeri tek tjetri, dhe jo për sëmundjet e patransmetueshme. Edhe pse studimi i paraprin përhapjes së Covid-19, sjellja e njerëzve gjatë pandemisë aktuale i ka përforcuar edhe më shumë këto studime, raporton abcnews.al.
Sipas një studimi, në fillim të viteve 1930, sa më e lartë të ishte shkalla e vdekjeve gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, aq më i madh ishte numri i votave për partinë naziste, dhe kjo sërish pavarësisht faktorëve si të ardhurat dhe papunësia.
“Në një pandemi ekziston një frikë e madhe ndaj kaosit, dhe dëshira për masa më të ashpra nga autoritetet, duke i hapur rrugën mbështetjes së qeverive më autoritare”, sipas Gelfand.
Si mikrobet ashtu edhe idetë udhëtojnë nëpër rrjetet sociale, sipas sociologut dhe mjeku i Universitetit të Jeilit, Nikolas Kristakis. Këto rrjete kanë evoluar për të formuar një ekuilibër optimal midis avantazheve dhe disavantazheve të ekspozimit ndaj njerëzve të tjerë.
“Përhapja e mikrobeve, është çmimi që duhet paguar për përhapjen e ideve”./abcnews