Një ditë pasi 7-vjeçarja Jonada Avdia u përcoll për në banesën e fundit, në dyert e familjes Avdia është shfaqur për ngushëllim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Ai tha se vizita e tij nuk duhet të keqkuptohet, pasi ka shkuar si një prind dhe si një qytetar, teksa falënderoi familjen e cila edhe në këtë ditë tepër të trishtë, mirëpriti ngushëllimet e tij.
“Nuk dua të keqinterpretohet, kam marrë pjesë për t’i shprehur me shumë hidhërim nga shpirti ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të fëmijës, kam ardhur si prind e si qytetar dhe falënderoj familjen Avdia e cila i mirëpriti ngushëllimet e mia dhe përveç përgjegjësive se çfarë ka ndodhur, i mirëkuptoj dhe i falënderoj që ngjyrime të caktuara i kanë lënë mënjane dhe janë duke vuajtur të gjithë atë se çfarë ndodhi”, tha Nano.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë (2 gusht) në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një gomone, teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.
Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.