Buxheti është një “kontratë” sociale, që përcakton se çfarë shërbimesh e investimesh do të ofrojë qeveria, në këmbim të taksave që ajo merr nga qytetarët e saj.
Sa më i ulët të jetë buxheti i një vendi, aq me më shumë eficiencë duhet të përdoret ai. Ekzistojnë manuale të tëra globale që flasin për mirëmenaxhimin e fondeve të taksapaguesve.
Veçanërisht në vendet me të ardhura dhe kapacitet të ulët, buxhetet kombëtare bëhen të vështira për t’u menaxhuar në mënyrë eficiente, pavarësisht qëllimit.
Shqipëria hyn në vendet me buxhetin ndër më të ulëtit në Europë, me shpenzimet që janë sa 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga rreth 40% që është mesatarja europiane, e diktuar nga të ardhurat e ulëta, që nuk i kanë kaluar ndonjëherë 28% të PBB-së.
Si i tillë, fokusi i buxhetit duhet të jetë kontrolli fiskal që të mbështesë stabilitetin makroekonomik, reduktimin e rreziqeve, rritjen e eficiencës së shpenzimeve, me synim përmirësimin e mirëqenies dhe uljen e varfërisë.
Por kjo kontratë sociale nuk duket se ka gjetur drejtësi. Që nga viti 2017 deri në 2024, buxheti ka paguar dhe pritet të paguajë (përfshirë vitin e ardhshëm) 86 miliardë lekë (rreth 800 milionë euro) për 12 kontrata koncesionare të tipit të Partneritetit Publik-Privat (PPP).
Për gjashtë nga këto kontrata është hapur hetimi nga Njësia e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrimi i produkteve të veprës penale, ku është provuar se janë shpërdoruar paratë e buxhetit.
Vlera totale e këtyre 6 koncesioneve për periudhën 2017-2024 është gati 40 miliardë lekë, që është mesatarisht sa gjysma e buxhetit të investimeve kapitale në një vit.
Nga kjo shumë, rreth 25 miliardë lekë janë vetëm koncesionet e shëndetësisë, që do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 4-5 spitale të reja.
Ndonëse SPAK është në veprim, pagesat për PPP-të janë në rritje me 9.3% në buxhetin e 2024. Nuk ka një “fajtor” as për vendimet e gabuara, që kanë çuar në një faturë prej 195 milionë eurosh (kjo është vetëm shuma e pranuar nga financat) për dëmshpërblimet ndaj vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) dhe Gjykatës së Arbitrazhit.
Vendi nuk e ka më luksin të përballojë koston që vjen nga drejtësia e munguar. Në 2021-2022, buxheti i shtetit u “fry” nga efekti i rritjes së çmimeve, që mundësoi marrjen e më shumë taksave mbi mallrat e konsumit dhe fitimet e larta të kompanive energjetike, të ndikuara nga shtrenjtimi i çmimeve në bursa.
Por, këta dy faktorë nuk pritet të veprojnë më në vitin në vijim. Turizmi ishte një tjetër stimul i ekonomisë – që për fat të mirë amortizoi rënien e konsumit nga emigrimi i lartë – por që vepron sezonalisht, duke e lënë zbuluar për muajt në vijim, deri në rikthimin masiv të tyre.
Sinjalet e biznesit në anketën e fundit të besimit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ishin për rënie të shitjeve dhe të porosive, madje edhe për ndërtimin, që ka përjetuar një lulëzim të vërtetë vitet e fundit.
Të ardhurat buxhetore në shtator ishin negative, të indeksuara me inflacionin dhe rritjen ekonomike. Edhe vetë financat, në vitin 2024, presin të ardhura reale 0.4 pikë përqindje më të ulëta në raport me PBB-në (27.7% e PBB-së).
Në kahun tjetër, edhe politika monetare do të vijojë të mbetet e shtrënguar. Banka e Shqipërisë rriti normën bazë për të gjashtën herë në dy vjet, duke e çuar në 3.25% së fundmi, si një mekanizëm për të luftuar inflacionin, që vijon të mbetet i lartë.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur çmimet u “frynë” nga importi, tashmë ato po ndikohen nga faktorë të brendshëm, si problemet strukturore të ekonomisë me bujqësi të cunguar e konkurrueshmëri të ulët, dhe rritja administrative e pagave, e pashoqëruar me produktivitetin.
Paralajmërimi i guvernatorit është që tendenca shtrënguese do të vazhdojë dhe FMN ka këshilluar që norma të arrijë në 4.5%, duke ndikuar në shtrenjtimin e kostos së parasë, që do të frenojë investimet dhe kredimarrjen e bizneseve e individëve, por dhe në shtimin e kostove të borxhit të qeverisë.
Deri tani, kontrata sociale mes qeverisë dhe taksapaguesve nuk është zbatuar. Paratë janë përdorur në një pjesë të konsiderueshme për projekte korruptive dhe prandaj, çdo përpjekje për shtim taksash që të rritet buxheti ndihet më shumë si represion fiskal, sepse në kahun tjetër, atij të të ardhurave, nuk po respektohet angazhimi social. Teksa rripi po “shtrëngohet”, duhet të presim e të shohim nëse do të mundet drejtësia ta rivendosë këtë ekuilibër./Monitor