Bosi i mafies italiane Matteo Messina Denaro është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia italiane pas plot 30 vitesh në arrati.
Ai u arrestua brenda klinikës private ‘La Maddalena’ në Palermo, klinikë kjo e specializuar për trajtimin e sëmundjes së kancerit, ku kishte shkuar për t’iu nënshtruar terapisë. Mediat italiane shkruajnë se ai prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Denaro është dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, përfshirë atë të vogëlushit Giuseppe Di Matteo, i cili u mbyt dhe u tret në acid.
Vrasja e vogëlushit Giuseppe Di Matteo u krye më 11 janar 1996, për të penguar babanë e tij, Santino Di Matteo, një bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ish -anëtar i mafias që të mos bashkëpunonte me hetuesit italianë.
Matteo Messina Denaro ishte një nga nxitësit e masakrave të vitit 1992, të cilat i kushtuan jetën gjyqtarëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino,dhe të sulmeve të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë.
Qindra oficerë të zbatimit të ligjit janë përfshirë në arrestimin e tij ndër vite, aksione të cilat patën rezultat vetëm ditën e sotme.