Juventusi fitoi minimalisht kundër Lecce në takimin e parë të javës së gjashtë të Serie A. Sfida në “Allianz Stadium” u vendos nga goli i Milik në minutën e 57 të lojës.
Në pjesën e parë, më mirë luajtën verdhekuqtë, të cilët nuk ishin të saktë në finalizim. Titullar e nisi mesfushori kuqezi Ylber Ramadani, i cili bëri një paraqitje të mirë. Ai vendosi rregull në mesfushë dhe organizoi lojën.
U zëvendësua në të 69 nga Kaba, që në fund u ndëshkua me karton të kuq. Trajneri i “Zonjës së Vjetër” tha pas takimit se kjo fitore i duhej ekipit të tij.
‘Ishte e rëndësishme që të fitonim! Sidomos pas humbjes kundër Sasuolos, që erdhi si rezultat i gabimeve individuale, që vështirë ndodhin. Me Leccen nuk ishte e lehtë. E nisëm mirë, lamë pak hapësira dhe ishim të ekuilibruar në fushë pa pësuar goditje në portë. Patëm durim dhe shfrytëzuam rastin e duhur’, tha trajneri Massimiliano Allegri.
Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, “Zonja e Vjetër” shkon në kuotën e 13 pikëve në renditje.