Me konfirmimin e Didier Deschamps në pankinën e kombëtares franceze, Zinedine Zidane duhet të fokusohet në një tjetër pistë për të ardhmen. Francezi është i papunë që prej vitit 2021, kur 50-vjeçari u larguar nga drejtimi i Real Madrid. Që prej asaj kohe, Zidane ka pasur interes nga shumë skuadra, gjithsesi, mbetet ende enigmë se ku do ta shohim në të ardhmen. Së fundmi, francezi mësohet se ka refuzuar një ofertë nga Federata Amerikane e futbollit për të marrë drejtimin e kësaj kombëtareje. Një “JO” e prerë prej tij sipas “L’Equipe”, me Zidane që ka refuzuar për të pasuar në atë post Gregg Berhalter. Përfaqësuesja amerikane është aktualisht pa një trajner pas skadimit të marrëveshjes me Berhalter.
Përveç kombëtares amerikane që shkoi deri në raundin e 1/8-ave të Kupës së Botës në Katar, për Zidane ka pasur sondazhe edhe nga kombëtarja e Brazilit dhe Portugalisë, por fituesi i trefishtë i Champions League refuzoi për të marrë drejtimin e këtyre përfaqësueseve. Verdikte që tregojnë se pas dështimit për të marrë drejtimin e Francës, Zinedine Zidane preferon që tashmë të fokusohet në nivel klubesh. Juventus, Manchester United apo edhe PSG kanë qenë të interesuar për ish-trajnerin e Real Madrid që synon të marrë drejtimin e një skuadre kompetitive dhe me tepër potencial si në kampionatin vendas ashtu edhe në arenën ndërkombëtare./ Klan News