Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë një ftesë presidentit kinez Xi Jinping për të vizituar Ukrainën, njoftoi sot Associated Press.
“Ne jemi gati ta shohim këtu,” tha Zelensky në një intervistë me agjencinë e lajmeve.
Xi nuk ka folur me Zelensky që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, por Kina muajin e kaluar lëshoi një plan prej 12 pikash për “një zgjidhje politike të krizës.”
Xi diskutoi konfliktin me “mikun e tij të dashur”, Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij zyrtare në Moskë javën e shkuar, ndonse bisedimet nuk treguan përparim drejt përfundimit të luftës. Propozimi i Kinës përfshin një thirrje për de-përshkallëzim dhe një armëpushim në Ukrainë, por SHBA e ka kundërshtuar propozimin, pasi Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
SHBA argumenton se një armëpushim në këtë kohë do të siguronte fitime territoriale ruse dhe do t’i jepte ushtrisë së Putinit më shumë kohë për t’u rigrumbulluar. Ukraina ka përshëndetur përfshirjen diplomatike të Kinës, por Zelensky ka thënë se do të shqyrtojë marrëveshjet e paqes vetëm nëse trupat ruse tërhiqen nga territori ukrainas.