Kanuni i Lekë Dukagjinit është korpusi më i njohur i ligjeve dhe dokeve shqiptare. Sot e kësaj dite, ndonëse pas 500 vitesh, emri i Lekë Dukagjinit vazhdon e përmendet. Përmendja e emrit ka të bëjë pikërisht me Kanunin.
Në thelb Kanuni përmbledh ligje, rregulla dhe zakone të shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut. Thelbi janë fjalët e urta ku hyn besimi, prona, gjaku, ndëshkimi. Kanuni ngre shkallën morale, ku në kulm qëndrojnë vlerat tradicionale si burrnia dhe nderi, miku, respekti, nderi shoqëror dhe nderi vetjak.
Këto ligje dhe akte funksiononin në mungesë të një shteti ku pas çdo rregulli të thyer, të ishte ligji ai që jepte dënimin. E ndërsa kanë kaluar aq shumë vite, në vendin tonë sërish ka individë të cilët në mungesë të shpresës se ligji mund të veprojë, bëjnë vetëgjyqësi. Disa e konsiderojnë këtë prapambetje dhe disa mendojnë se për sa kohë gjaku nuk falet, atëherë ‘duhet marrë me duart e tua’.
Në harkun kohor të një viti në vendin tonë janë kryer disa vrasje për hakmarrje. Më 24 janar 2022 17-vjeçari Florian Pervathi mori gjakun e babait të tij duke vrarë fqinjin e tij Ndue Lekgjonaj. Ai ka vrarë të vëllanë e vrasësit të babit të tij. Floriani ishte vetëm 4 vjeç kur i ati i tij u vra dhe gjatë gjithë jetës së tij u ushqye me mendimin e gjakmarrjes.
Më 17 korrik 2022 u vra në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj, Besmir Hoxha e Diklen Vata me breshëri armësh. Rreth 1 javë, më 24 korrik 2022, për motive hakmarrjeje u ekzekutua dhe Klisman Reci në Milot.
Më 18 gusht 2022 një atentat i ngjashëm ndodhi në dalje të fshatit Panaja në Vlorë, ku brenda mjetit “Benz” u ekzekutuan Hakim Xhezo dhe Shpati Lena. Ngjarja dyshohet për hakmarrje pasi të dy viktimat ishin të implikuar në vrasjen e një biznesmeni.
Më 19 prill 2023 u vra në Lezhë biznesmeni Ardian Nikulaj. Gjatë një konflikti të vjetër në vitin 2000, anëtarë të familjes Palaj vranë vëllanë e Ardian Nikulaj. Kjo solli një valë hakmarrje mes dy fiseve. Xhaxhai i Ardian Nikulajt ekzekutoi dy anëtarë të familjes Palaj për të larë gjakun.
Së fundmi, më 21 maj 2023 u vra Arian Gosa. Vrasja ndodhi në Kavajë teksa viktima po pinte kafe me babanë e tij. Habib Rexha vrau me një plumb në ballë 48-vjeçarin Arian Gosën. Habibi është vëllai i Altin Rexhës i cili mbeti i vdekur pas një konflikti banal me Edmond Gosën. Edhe ky i fundit ndërroi jetë në vendin e ngjarjes me 29 mars të 2023.
Bazuar në ligjin e Kodit Penal për hakmarrje, në Nenin 78 thuhet:
Vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
A mos duhet që kur bëhet fjalë për hakmarrjen, ligji të mënjanohet dhe t’u lihet në dorë individëve, apo të ashpërsohet më shumë që ata të heqin dorë nga vrasja për gjakmarrje?
Fakti që këto tradita ende trashëgohen brez pas brezi, të lë të kuptosh që për këta persona ligji nuk ekziston. Në shumicën e vrasjeve të ndodhura për hakmarrje, autorët janë shprehur se nuk mund të prisnin sa të kapej autori i vrasjes së familjarëve ndaj edhe vepruan vetë. Ose dënohen shumë pak dhe përfundojnë duke dalë nga burgu me pak vite.
Këto vrasje për hakmarrje janë një kambanë alarmi për mos emancipim apo mos funksionim të ligjit?/ Klara Murra