Politika ka reaguar pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, njëherësh anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës. I pari ka qenë Kreu i bashkisë Lezhë, që rikandidon në këto zgjedhje, Pjerin Ndreu tha se një ngjarje e tillë cenon rëndë rendin dhe sigurinë publike.
“Kërkoj me forcë nga organet e rendit dhe prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen, për të vënë përballë ligjit autorët e kësaj ngjarje të shëmtuar” shkruajti kryebashkiaku socialist.
Për ngjarjen reagoi edhe deputeti i PS, Eduard Ndreca që teksa i shprehu ngushëllimet familjarëve kërkoi reagim të shpejtë të organeve ligj-zbatuese për të zbardhur sa më parë ngjarjen.
“Ngjarja e rëndë e ndodhur sot, ku mbeti i vrarë Ardian Nikulaj, na ka tronditur shumë të gjithëve. Ardiani ishte një mik fort i mirë e i respektueshëm për të gjithë. Organet ligj zbatuese duhet të veprojnë me force, për ta zbardhur një ore e më parë këtë ngjarje të rendë. Ngushëllime familjes, gjithë miqve e shokëve. Të qoftë dheu i lehtë miku im. Shpirti të pushoftë në paqe”, tha Ndreca.
Ardian Nikulaj ishte këshilltar në Bashki dhe rikandidonte për një tjetër mandat në Këshillin Bashkiak të Lezhës. 50- vjecari Ardjan Nikulaj, ishte pronar i disa bizneseve të mëdha, kryesisht në zonën e Shëngjinit. Nikulaj ka qenë ish drejtor i ALUIZI-it si dhe i OSHEE.