Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhuruar liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un një makinë luksoze të prodhimit rus. Media shtetërore e Phenianit tha se makina iu dorëzua ndihmësve të Kim-it të dielën. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov më vonë konfirmoi dhuratën, duke thënë se ishte një Aurus, një sedan luksoz i përdorur nga vetë Putini.
Gjatë vizitës së udhëheqësit të Koresë së Veriut, ai pa makinën Aurus të Putinit ku dhe u ftua të hipte në sediljen e pasme. Ata gjithashtu shkëmbyen armët si dhuratë.
Sipas BBC, kjo dhuratë i bëhet Kim Jong-ut sepse besohet që ai është një adhurues i makinave dhe se ka një koleksion të automjeteve të huaja luksoze. Por Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha se dhurata shkeli sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut, të cilat ndalojnë furnizimet e disa kategorive të automjeteve, përfshirë makinat luksoze.
Motra e Kim, Yo Jong tha se “dhurata shërben si një demonstrim i qartë i marrëdhënieve të veçanta personale midis dy liderëve” të dy vendeve, në burimet e cituara nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, dy vendet kanë krijuar marrëdhënie të ngushta. Koreja e Veriut mendohet se po furnizon Rusinë me artileri, raketa dhe raketa balistike për luftën, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare ndaj të dy vendeve.