Një tjetër sulm me armë zjarri ka shkaktuar të paktën 8 viktima dhe 10 të plagosur në Serbi, vetëm 48 orë pas sulmit që ndodhi në një shkollë në Beograd, ku mbetën të vrarë 9 persona.
Sipas mediave vendase, një 21-vjeçar i identifikuar si Uros B. qëlloi me armë automatike nga një automjet në lëvizje pranë fshatit Mlladenovc, 60 km në jug të Beogradit. Autori është ende në kërkim. Policia ka vendosur postblloqe të shumta për të lokalizuar personin në Mlladenovc dhe Dubonë, ku edhe ndodhi masakra. Kërkimet vijojnë me helikopter, drone, por edhe nga toka.
Mediat lokale bëjnë me dije se 21-vjeçari qëlloi mbi një turmë njerëzish pas një debati me një oficer policie në një park në Dubonë mbrëmjen e së enjtes. Viktimë thuhet se ka mbetur edhe oficeri i policisë dhe motra e tij. Më pas 21-vjeçari ka vijuar të qëllojë edhe njerëz të tjerë nga një makinë në lëvizje, duke e çuar numrin e viktimave në 8 dhe duke plagosur shumë të tjerë.
Në vendngjarje shkuan menjëherë autoritetet e larta të vendit. Serbia po mban tre ditë zie për këtë ngjarjen e ndodhur ditën e mërkurë në shkollën fillore. Ngjarja e së mërkurës shtyu qeverinë serbe të propozonte kufizime më të forta të posedimit të armëve.
Të shtënat masive janë të rralla në Serbi, e cila ka ligje shumë të rrepta për armët. Megjithatë Serbia njihet si një nga shtet në Evropë që ka lejuar më shumë përdorimin e armëve nga civilët.