Policia ka bllokuar biznesin e deputetit demokrat Agron Shehaj, duke nxjerrë jashtë edhe punonjësit nga objekti. Uniformat blu kanë vendosur edhe shiritin ‘’vendngjarje’’, por ky shirit u hoq nga vetë deputeti. Ai thotë se uniformat blu nuk kanë asnjë dokument që vërteton se godina ku zhvillohej biznesi i tij është pa leje.
Ndërkohë sipas avokatit të këtij biznesi, Orion Nallbati, ata kanë një kontratë qiraje dhe policia nuk mund të ndërhyjë pa pasur një vendim gjykate për anulimin e kontratës. Për avokatin, ky është një vendim që është urdhëruar nga persona të tretë.
“Policia janë përdorur nga dikush që nuk e njoh, që jep urdhra”, tha avokati.
Në këtë njoftim thuhet se objekti konfiskohet për shkak se është ndërtuar pa leje. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së “Rilindjes”.
Ndërkohë që shpall ministrat e tij si “investitorë strategjikë” dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së “Rilindjes” terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.
Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.
Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz”, shkruan Meta.
Kjo nuk është hera e parë që deputeti Agron Shehaj, policia i shkon për t’i mbyllur biznesin. Një skenë e tillë ndodhi edhe në 14 tetor të vitit 2022.