Policia arrestoi 13 persona pasi disa të armatosur dhe me kapuça mësynë në stacionin televiziv TC në qytetin e Guayaquil teksa zhvillohej një diskutim me disa të ftuar. Personat e armatosur kanë ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë dhe i janë drejtuar kameras duke thënë që televizioni nuk duhet të ngatërrohet me mafian dhe të flasë për të.
Si pasojë e kësaj mësymje në televizion, raportohet se janë plagosur 2 punonjës.
Dhuna nisi pasi presidenti i vendit Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas arratisjes së burgosurit më të kërkuar të vendit Adolfo Macias, kreu i bandës kriminale ‘Los Choneros’.
Për situatën në Ekuador ka reaguar edhe Uashingtoni. Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se SHBA është jashtëzakonisht e shqetësuar për dhunën në Ekuador.