Një video e publikuar në rrjetet sociale ka bërë bujë, ku shihet një oficer policie që godet me grusht në fytyrë një grua, e cila bie thuajse pa ndjenja në trotuar. Ngjarja ka ndodhur në Harlem të Nju Jorkut gjatë arrestimit të një 22-vjeçari, i cili sipas policisë akuzohet për tentativë vrasje.
Tamani Crum, 19 vjeçe, shihet në video teksa afrohet me oficerët që po përpiqen të vënë në pranga James Elvin. E reja shihet duke debatuar me efektivët e policisë ku njëri prej tyre e largon dhe më pas e godet me grusht dhe e shtrin në trotuar. Oficeri, Kento Kinsey, i cili pretendoi se reagoi në atë mënyrë pasi 19-vjeçarja e sulmoi dhe e goditi atë, më pas e ngriti nga trotuari dhe i vuri prangat.
Policia e Nju Jorkut ka akuzuar 19-vjeçaren për sulm ndaj uniformave, rezistencë ndaj arrestimit, pengim të autoriteteve dhe goditje me shuplakë të një 27-vjeçareje në vendngjarje, ndërsa nuk ka marrë asnjë masë ndaj oficerit që hodhi grushtin. Videoja shkaktoi zemërim në rrjetet sociale dhe u dënua shpejt nga aktivistët.