Dy ish-luftëtarë të Wagner kanë rrëfyer për përvojat e tyre të tmerrshme në fushën e betejës në Ukrainën lindore dhe se si kushdo që nuk bindej vritej nga vetë komandantët e tyre.
Dy luftëtarët u kapën nga forcat ukrainase në fund të vitit të kaluar. CNN ka zgjedhur që të mos zbulojë identitetet për sigurinë e tyre. Të dy janë të martuar me fëmijë dhe janë rekrutuar kur ishin në burg. Njëri vuante 20 vjet burg për vrasje.
“Ishim një grup prej 90 personash. 16 vdiqën në sulmin e parë. Një pjesë tjetër mbetën të plagosur,” tha njëri, duke kujtuar sulmin e tij të parë pranë fshatit Bilohorivka.
“Nëse një grup është i pasuksesshëm, një tjetër dërgohet menjëherë. Nëse i dyti është i pasuksesshëm, ata dërgojnë një grup tjetër”, vijon ai rrëfimin.
Luftëtari tjetër u përfshi në një sulm që zgjati pesë ditë, përmes një pylli pranë qytetit Lysychansk në kufirin Luhansk-Donetsk në Ukrainën lindore.
“Hapat e para në pyll ishin të vështira për shkak të të gjitha minave tokësore të shpërndara. Nga 10 vetë, 7 u vranë menjëherë. Nuk mund t’i ndihmosh të plagosurit. Ukrainasit po qëllonin rëndë mbi ne, kështu që edhe nëse plagët e tyre ishin të vogla, të tjerët duhet të vazhdojnë pasi në të kundërtën do qëllohemi dhe ne. Njerëzit kanë vdekur mu para meje, duke iu lutur Perëndisë. Mendon ta ulësh armën për një moment, por më pas kupton që je në luftë. Disa ndalojnë atje në pyll dhe hedhin armët, por të hedhësh armët do të thotë të biesh nën zjarrin e snajperit dhe të vdesësh”, tregon ai.
Gjatë javëve të para, 2 burrat tregojnë se kishin vetëm një qëllim, që të mbijetonin.
“Vetëm për të mbijetuar. Unë vetëm kisha dëshirën për të mbijetuar, pavarësisht nga kostoja,” tha i burgosuri i përfshirë në sulmin në pyll.
Ata kanë treguar edhe për ndjenjën që kanë përjetuar kur kanë qëlluar për vdekje për herë të parë. Kjo eksperiencë sipas tyre, nuk ishte ashtu si ata e kishin menduar.
“Do të mendoje se do të ndjeje diçka [pasi të vrisje dikë], por jo, vetëm vazhdon”, tregojnë ato.
Alternativa për të ecur nëpër fusha të minuara drejt artilerisë ukrainase ishte po aq vdekjeprurëse, sipas rrëfimeve të burrave.
“Ne nuk mund të tërhiqeshim pa urdhrave sepse nëse nuk i bindemi urdhrit, do të vritemi,” tha një nga të burgosurit.
“Nëse nuk do të eliminonim armikun, do të eliminoheshim ngaqë nuk e eleminonim”, vijojnë rrëfimin.
Premtimi i lirisë
Dy burrat përshkruan se si u rekrutuan nga Wagner. Në gusht dhe shtator të vitit të kaluar, shefi i grupit, Jevgeni Prigozhin, arriti me helikopter në burgjet ku u mbajtën, duke ofruar kontrata gjashtë-mujore në këmbim të faljes.
Menjëherë pas vizitave të Prigozhinit, qindra të burgosur u çuan me autobus dhe aeroplan në një terren trajnimi në rajonin Rostov të Rusisë ku ishte e ndaluar rreptësisht droga dhe alkooli.
Stërvitja ishte e shkurtër dhe bazë – trajtimi i armëve për sulmet e tmerrshme që ata do të urdhëroheshin të kryenin së shpejti. Megjithatë, ato tregojnë se janë të zhgënjyer.