Ngjarje ku vëllai vret vëllanë për tokë, komshiu vret komshiun për një kanal, të bëjnë të mendosh se ne jemi një shoqëri e egër dhe e palogjikshme. Vrasja e djeshme në Laknas për kanalizimin e ujërave të zeza është sa e turpshme aq edhe e rëndë. Të vritesh për një kanalizim ku kalojnë fekalet e dy familjeve.
Jeta e një njeriu në Shqipëri vlen aq sa fekalet e tij.
Duke vrarë komshiun ke vrarë dorën që të shtrirë në nevojë, ke vrarë bukën që ke ngrënë, ke vrarë derën e Xhenhetit siç thonë edhe të moshuarit. Dhe për ironi të faktit, ishin dy të moshuar që u konfliktuan dhe degraduan deri në përdorimin e armëve. Kur e shkel bukën e dhënë një 70-vjeçar, s’mund të presësh asgjë nga një i ri që i vlon gjaku më shumë se mosha e tretë në situata të nxehta.
Nuk mund të presim emancipim kur injoranca vret çdo ditë. Ku një vijë uji mbushet me gjakun e komshinjve, vëllezërve dhe kushërinjve.
Koha ka treguar se të gjithë ata që janë vrarë për tokë kanë ikur, ndërkohë që toka është ende aty. Pyetja është: Çfarë po bën sot kanalizimi i ujërave të zeza që u bë shkaktar për vrasjen e një të moshuari dje në Laknas? A thua ka trup për situatën e m*tit që krijoi?/ Klara Murra